Kulturë

“Rojat e Taxhit” pas suksesit në Kosovës, në Teatrin Kombëtar në Tiranë

Tiranë, 8 shkurt – Shfaqja teatrore “Rojat e Taxhit” pas suksesit që pati në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahi Vogli” dhe në disa teatro në Kosovë, vjen për katër net në skenën e Teatrit Kombëtar për artdashësit e Tiranës.

Njeriu i dyzuar mes shpirtit të lirë që guxon e ëndërron dhe njeriut që kryen me besnikëri detyrën e caktuar nga lart është mesazhi që përcjell kjo shfaqje një nga kryevepërat e Rajiv Joseph. Regjisori Altin Basha e sjell këtë shfaqje për publikun shqiptar nën interpretimin e dy aktorëve Gazmend Gjoka e Lulzim Zeqja.

“Rojat e Taxhit” eksploron bukurinë, pushtetin, autokracinë, rezistencën dhe besnikërinë e verbër. Kjo pjesë është historia komike dhe e trishtuar një miqësie të thellë, që testohet e thyhet nga rrethana ekstreme dhe brutale. Në vepër janë dy protagonistët, Humaxhuni dhe Baburi janë shokë të ngushtë dhe roje në ushtrinë perandorake të mbretit të Hindustanit Shah Xhahanit. Ndërsa bëjnë roje ata qeshin e fantazojnë me historitë e tyre të fëmijërisë dhe arratisjet në xhungël. Ata kanë privilegjin e çuditshëm të jenë roje të Taxh Mahalit, dedikimi epik që mbreti Shah Xhahani i bëri gruas së tij të vdekur Mumtaz Mahal.

Kjo ndodh një natë para se ky monument ti shfaqet botës si personifikimi më i fuqishëm dhe mbresëlënës i bukurisë. Humaxhuni, ushtar i gjeneratës së dytë thellësisht besnik, është i kënaqur që zbaton urdhrat edhe atëherë kur Perandori, i vendosur që asgjë më e bukur se Taj Mahali nuk ndërtohet ndonjëherë, i jep rojeve të tij një mision të tmerrshëm. Baburi i ndjeshëm dhe romantik e përballon këtë mision duke ju kundërvënë shkatërrimit të bukurës si mburojë njerëzore.

“Rojat e Taxhit” është një shfaqje e fuqishme që ngre pyetje “A e vrasim ne të bukurën? A mund të quhet vrasës i jetës, vrasësi i së bukurës?”, mos e humbisni këtë shfaqje për të marr përgjigjen e këtyre pyetjeve në datat 15-16-17-18 shkurt ora 19:00.