Kulturë

Filmi gjerman për dashurinë shqiptaro-serbe mbërrin në Zelandën e Re

Descriptive Text

Prishtinë, 23 mars - Ani pse ka pesë vjet prejse është realizuar, filmi i cili sjell rrëfimin për një dashuri shqiptaro-serbe në Kosovën e vitit 1999 vazhdon rrugëtimin. Ka mbërritur deri në Zelandë të Re.

“Die Brücke am Ibar” (Ura mbi Ibër), nën regji të Michaela Kezele, do të shfaqet për publikun e qytetit New Plymouth më datën 26 të muajit mars. Është pikërisht kinemaja e qendrës “Len Lye Centre” që do të hapë dyert për këtë projekt filmik. “Len Lye Centre” është destinacion ndërkombëtar për filma eksperimentalë dhe art kinetik. Aty gjendet koleksioni dhe arkivi i Len Lye, një prej artistëve më origjinalë të shekullit XX. Pionieri, filmbërësi, skulptori, piktori dhe poeti i jashtëzakonshëm, veprat e të cilit sjellin një qasje unike në modernizëm, paraqiten në këtë vend.

Kjo qendër e hapur në vitin 2015, përveç arkivit të Lye ka edhe galerinë dhe qendrën e edukimit, si dhe kinemanë me 62 ulëse. Pikërisht në këtë sallë do të shfaqet filmi për Kosovën. Regjisorja Kezele, e cila ka kaluar fëmijërinë në ish-Jugosllavi, portretizon dashurinë e pakompromis që tejkalon barrierat etnike në një ambient plot me urrejtje, e cila edhe sot vazhdon në Ballkan. Në një përshkrim që i bëhet këtij filmi, thuhet se derisa nis lufta civile në mes të serbëve dhe shqiptarëve, urrejtja zëvendëson tolerancën dhe qytetet në mënyrë brutale ndahen në linja etnike.

E veja serbe, Danica (Zrinka Cviteshiq) jeton me dy djemtë e saj Vlado (Andrija Nikçeviq) dhe Danilo (Milosh Mesaroviq) në një qytet të vogël, të cilin e ndan lumin Ibër në anën e serbëve dhe shqiptarëve. Vdekja e burrit të Danicës në duart e shqiptarëve ka lënë gjurmë të thella në familje.

Që nga ajo kohë Danilo nuk e ka folur asnjë fjalë dhe ka mbetur si i humbur në botën e tij, i cili ëndërron të ketë një biçikletë të kaltër. Në mënyrë që ta blejë atë, ai çdo ditë shkon e peshkon në ujërat e Ibrit, të cilët më pas ia shet pronarit të një kioske për pak para. Me gjithë luftën, të gjithë në komunitet dëshirojnë të bëjnë jetë normale (më shumë, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.