Kulturë

Arkivat shqiptare dhe sfidat e tyre në hapësirat shqiptare

Descriptive Text

Promovimi i librit “Arkivat shqiptare” me autor ish drejtorin e Arkivit Gjet Ndoj, u kthye në një debat publik mbi rolin dhe sfidat e këtij institucioni, nën praninë e Drejtorit të Arkivave të Kosovës Ramë Manaj, drejtorit të Arkivit shqiptar Ardit Bido studiuesve Mehdi Dërguti dhe Alda Bardhyli, transmeton TCh. Në këtë libër vijnë të pasqyruar për të gjithë studiuesit prurjet më të rralla, jo vetëm në Arkivën e Shtetit, por edhe në rrjetet arkivore të vendit.

Një listë e gjatë me kopje të dokumenteve të sjella nga arkivat sekrete të Vatikanit, apo me fermanët e Stambollit shërbejnë si një guidë që lehtëson udhë përshkrimin në dokumentet e duhura. Gjithashtu nuk mungojnë dhe informacionet për dokumentet shqiptare në Mal të Zi, Maqedoni, Kosovë e më gjerë. “Unë kam pasur fatin siç e thatë ju të isha për tre vite në krye të arkivave të shtetit Shqiptar. Ky ishte institucioni më unik nëpërmjet të cilit mund të përcaktojmë historinë tonë si popull si etni, komb dhe shtet deri në ditët tona.

Vetëm në arkiva mund të përcaktohet qartë identiteti jonë kombëtarë. Ndryshe nga çdo studiues që mund të jetë i palodhur, drejtori i arkivave për shkak të detyrës mund të kundroj dhe shikoi më shumë se çdo kush tjetër rreth fondeve arkivore. E ndjeva për detyrë sepse këto arkiva hedhin dritë mbi të vërtetën, dua t’ia them publikut shqiptar e më gjerë,” tha Gjet Ndoj. Librin e ka vlerësuar edhe drejtori aktual i arkivës Ardit Bido.

“Një punë e pa bërë sot me arkivat e jep efektin e vet pas 20,30 vitesh, dhe kur kuptohet problemi atëherë është një punë që do të nevojitet praktikisht dyfishi i punës që bëhet në fillim. Në këtë kuptim përveçse flasim për historinë, guxojmë që të potencojmë momente të guximshme, është momenti të flasim edhe për këtë zanat, këtë profesion. Gjet Ndoj ka bërë një punë të shkëlqyer nga pasqyrimi që ka bërë duke u bazuar te arkivat,” u shpreh Ardit Bido.

Libri i Gjet Ndojit ka një vlerë të veçantë për përshkrimet e arkivave private në Shqipëri, ku janë përshkruar dispozitat ligjore dhe kërkesat që lehtësojnë kërkuesin e tyre. Në këtë libër prezantohet edhe roli i drejtorisë së përgjithshme të arkivave dhe gjendja e vërtetë të tyre. Por drejtorët aktualë të arkivave të Kosovës dhe Shqipërisë janë ndalur dhe tek sfidat e këtij institucioni që janë marrja e dokumenteve mbi Shqipërinë në vendet me të cilat ne kemi pasur marrëdhënie, siç është Turqia apo Austro Hungaria.

“Punimi “Arkivat Shqiptare” i autorit Gjet Ndoj, për mua, vjen në dritë jo rastësisht. Pozita e autorit si Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë është një kondicion shumë i favorshëm, është një privilegj i një indicieje, por nuk bën ushqimin themelor që ka sjellë krijimin e kësaj vepre me karakter shkencor e profesional, me vlerë kombëtare që paraqet interes të veçante për çdo lexues në përgjithësi dhe për punonjësit shkencor të fushës së historisë në veçanti. Ushqimi i vërtetë e ka bazën tek formimi i shëndoshë intelektual e pasioni i autorit për shkencën historike që ka ardhur duke u rritur, përsosur ndër vite.

E njoha autorin gjatë viteve 1984-1988, kur ai vazhdonte studimet e larta në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, në Degën e Historisë, ku unë punoja si pedagog. Që në atë moshë të re, autori më ka tërhequr vëmendjen duke u dalluar nga të tjerët si student serioz, i vullnetshëm, me dëshirë për dije dhe kërkesa ndaj vetes. Ishte këmbëngulës, i prerë, i mprehtë në gjykim.

Nuk e rrëmbente riprodhimi mekanik, por lëndët i studionte me logjikë, arsyetonte e gjykonte mbi faktet mbi të cilat formonte bindje e siguri”, u shpreh studiuesi dhe ish pedagogu i tij Menduh Derguti .Sipas tij, ka pasur shumë drejtorë më parë, bile historianë të mirëfilltë që kanë patur pozicionin administrativ të autorit, por nuk kanë dhënë punime të kësaj natyre, që të shpalosin përpara shoqërisë shqiptare vlerat e Arkivave Shtetërore më tërë diapazonin shterues të tij.

“Punimi jo vetëm informon mbi strukturën e Arkivave Shqiptare, por paraqet me hollësi dokumentacionin që përmbajnë ato duke filluar nga Arkivi Qendror i Shtetit, arkivat e tjerë shtetërorë të sistemit, pjesë e Rrjetit Arkivor të Republikës e deri tek arkivat private. Punimi është shkruar me një metodologji moderne, me stil konciz e mjaft tërheqës.

Është përdorur një gjuhë e qartë, e kuptueshme, pa e rënduar me fraza të ngarkuara e fjalë të tepërta, që do ti sillnin vështirësi jo vetëm në lexim , por dhe në kuptimin e saktë të ideve që përmbanin ato. Punimi jo vetëm që mban ngjyrën e një vepre shkencore, por është trajtuar shumë profesionalisht. Pa hyrë në analizën e tre pjesëve dhe kufijve që përmbajnë ato, theksojmë se vetëm me një punë metikuloze të imtë e të kujdesshme, precize e pedante e shumë të vullnetshme mund të arrihej realizimi i këtij punimi.

Theksuam në fillim rolin determinues që ka luajtur formimi intelektual i autorit , por duhet nënvizuar fort edhe shpirti nacionalist të tij, ndjenja e atdhedashurisë pa të cilën nuk mund të arrihej fryma që ka kjo vepër, e cila i krijon shoqërisë shqiptare mundësinë për të njohur të vërtetën historike, e cila paraqitet sot mjaft e deformuar”, tha Menduh Derguti .

Dokumentet arkivore përmbajnë memorien historike, zbulojnë çështe e vërtetë dhe jo e vërtetë, gjysmë e vërtetë apo e dyshimtë duke krijuar kushte të plota për ndërtimin e një historie të saktë, gjithëpërfshirëse , për historinë e vërtetë të kombit tonë. Në këtë këndvështrim autori Gjet Ndoj, me veprën e paraqitur bën një gjest të vërtetë patriotik.”

Vepra është një manual në dorën e çdo studiuesi, shqiptar apo i huaj i cili orientohet ku të kërkojë e të zbulojë materialin dokumentar që i nevojitet për të studiuar çdo aspekt të botës shqiptare, të fushës politike, social- ekonomike, kulturore apo fetare, duke filluar nga e kaluara e largët (Shekulli i VI, pas.Krishtit) deri në ditët e sotme. Vepra “Arkivat Shqiptare” e para e këtij lloji shënon një hap shumë serioz në fushën e Arkivistikës Shqiptare, si një fillesë e re e kësaj shkence pothuajse e heshtur deri tani në vendin tonë”, u shpreh Menduh Derguti.