Kulturë

Mobilizimi në mbrojtje të grafiteve në Prishtinë heq reklamat private

Prishtinë, 1 shkurt - Dy reklama të bizneseve private, të vendosura ndërmjet grafiteve në Rrugën B në kryeqytet, nxitën reagime të shumta, derisa nuk u larguan brenda ditës prej hapësirës publike ku qenë vendosur pa leje. Një reagim i Qendrës për Zhvillimin e Artit (Q’art) e bëri të reagojë publikisht edhe vetë kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili fillimisht deklaroi se do të dënohen bizneset dhe paralajmëroi edhe të tjerët se do të ngrihen kallëzime penale. Të mërkurën vonë Ahmeti ka shkruar në “Facebook” se kompanitë janë gjobitur me nga 300 euro.

“Nga 300 euro dënim, mbulim i reklamës dhe turpërim publik për kompanitë ‘Cima’ dhe ‘Loriano’ për gabimin në Rrugën B”, ka shkruar ai.

Reklamat e kompanive “Cima Construction” dhe të restorantit “Loriano” nuk e mbuluan ndonjërën prej grafiteve të realizuara në maj të vitit të kaluar në kuadër të festivalit ndërkombëtar të grafitit “Meeting Styles” (Takimi i stileve) siç u keqkuptua në opinionin publik, por edhe nga zyrtarë komunalë. Pos kësaj, në atë vend edhe më herët ka pasur reklama, por që ishin të vendosura në kornizë metalike.

Por, megjithatë, reagimet bënë që të dyja bizneset t’i largojnë reklamat dhe ta kthejnë hapësirën ndërmjet muraleve në gjendjen e mëparshme – beton. Po ashtu, ato bënë që Komuna e Prishtinës të paralajmërojë se do të marrë masa që veprimet e tilla të mos përsëriten në të ardhmen (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

{gallery}