Kulturë

“Seeing Allred” për dy anët e avokates së famshme

Për shumë amerikanë, veçanërisht banorët e Kalifornisë, avokatja Gloria Allred ka qenë emër i njohur për shumë vite, e imët por me personalitet të madh, zëri i të drejtave të grave, minoriteteve dhe pjesëtarëve të komunitetit LGBT.

Një rast i mëparshëm, i cili bëri bujë në vitin 1979, ishte padija që i kishte bërë dyqanit “Sav-On” për mbishkrimet “lodra për djem” dhe “lodra për vajza”, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”. Ajo ka përfaqësuar dhjetëra klientë që kërkonin kompensim për diskriminim seksual në vende të punës dhe gati gjithmonë fitonte rastet.

Në vitet ’90, ajo u bë e famshme veçanërisht në luftën për familjet e Nicole Brown Simpson dhe Ron Goldman, të cilët gjoja se ishin vrarë nga O. J. Simpson.

Me gjithë këtë famë lokale dhe nacionale, lexuesit e jashtëm mund të jenë bërë të vetëdijshëm për të tani kohëve të fundit kur ajo u bë kryetitull për përfaqësimin e disa grave, të cilat pohojnë se komediani Bill Cosby i ka droguar, i ka sulmuar seksualisht dhe i ka dhunuar.

Në raportet mediatike, ajo rregullisht është e pranishme në konferenca për media, duke mbajtur shami në dorë teksa ulet përkrah grave që qajnë. Kohëve të fundit ajo është e kudogjendur derisa mbështet klientët e saj si Summer Zervos, e cila pretendon se Donald Trump në mënyrë agresive e ka puthur, dhe një grua tjetër, akuza e së cilës kundër kandidatit të Senatit në Alabama, Roy Moore, për sulm seksual, dështoi.

Dokumentari plot gjallëri i Sophie Sartain dhe Roberta Grossman ofron një portretizim krahasues pa dyshim simpatik për Allred, e cila natyrisht nuk është se s’ka urrejtës dhe kritikues, e atë jo vetëm nga mediat mizogjiniste të krahut të djathtë.

Në minutat e parë të dokumentarit ne shohim një klip të nikoqirit të shout Jummi Kimmel në një bisedë me kolegun e tij Bill Maher, duke diskutuar përfaqësimin që i bën ajo grave që e akuzojnë Cosbyn, dhe Kimmel thotë se fakti se ato kanë marrë shërbime nga Allred ua zvogëlon kredibilitetin. Më është dashur të pyes një amerikan në një kafiteri se nga vjen e gjithë antipatia për Allredin.

Njëri më tha se ishte për shkak se ajo nga disa konsiderohet si ndjekëse e emergjencave dhe kërkuese e vëmendjes, por jo se ai pajtohej me atë pozitë. Shoku i tij u pajtua me vlerësimin e tij, megjithëse ajo ka thënë se në Los Angeles konsiderohet si një prej avokateve më të mira në qytet, luftëtare e cila do të fitonte rastin tënd me çdo kusht... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)