Kulturë

Jimmy Kimmel, prezantues i ceremonisë Oscar

Jimmy Kimmel do të jetë sërish prezantues i ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve Oscar. Lajmin, prezantuesi i njohur televiziv e ka bërë të ditur dje, përmes postimit të një videoje qesharake në faqen zyrtare të emisionit të tij në YouTube.

Kimmel ishte prezantues edhe i edicionit të kaluar, ku ndodhi incidenti me shpalljen e filmit të gabuar si fitues i çmimit kryesor të mbrëmjes “Filmi më i mirë i vitit” dhe pikërisht në videon promovuese të sivjetshme, Kimmel ka bërë shaka me këtë ngjarje, që siç e përshkruan ai me humor, ka qenë traumatizuese për të, transmeton emisioni Express në KTV.

Edicioni i ceremonisë së kaluar ishte i suksesshëm sa i përket shikueshmërisë, kjo falë humorit me shije që Kimmel e solli në skenë, bashkë me të gjitha ngjarjet tjera që e karakterizuan atë mbrëmje.

Edicioni i 90-të i ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve kryesore në kinematografi, Oscar, do të mbahet më 4 mars në Los Angeles.