Kulturë

Programi i Teatrit Kombëtar miratohet me akuza për shkelje ligjore e censurë

Prishtinë, 26 janar - Miratimi i programit vjetor të Teatrit Kombëtar të Kosovës është bërë mollë sherri midis menaxhmentit dhe Këshillit Drejtues. Është miratuar midis akuzave për shkelje ligjore, censurë e direktiva politike. Janë pesë tekste të cilave u është dhënë drita e gjelbër për t’u inskenuar sivjet.

Por mënyra se si e ka bërë këtë Këshilli Drejtues, për drejtorin e përgjithshëm Agim Sopi, nuk është vetëm shkelje ligjore, por edhe rikthim i “frymës staliniste”. Në listë për inskenim janë: “Karnavalet e Korçës”, dramë e Spiro Çomoras, “Kopshti i qershive” i Anton Chekhovit, “Destur” e Musa Ramadanit, “Kaligula” e Alber Camus dhe “Skënderbeu ose Dashuria dhe Liria” nga Thomas Whincop.

Tri prej tyre janë votuar pa përplasje midis Këshillit dhe menaxhmentit. “Kopshti...” është futur në program duke rrëzuar “Pas vdekjes” të Çajupit e “Karnavalet...” është miratuar duke mposhtur tekstet “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit” të Veton Surroit dhe “Shembja e Kullës së Ajfelit” të Jeton Nezirajt.

Drejtori Sopi thotë se krejt loja është bërë për të përjashtuar dy tekstet e fundit. Regjisorja Burbuqe Berisha, kryetare e Këshillit Drejtues - e emëruar në fillim të dhjetorit nga ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, pa i kaluar mandati atij paraprak - thotë se kanë respektuar ligjin.

Programi i TKK-së përzgjidhet në bazë të propozimeve që udhëheqësi artistik në pajtim me drejtorin e përgjithshëm ia bëjnë Këshillit Drejtues. Deri këtu procedurat kanë shkuar në rregull. Por kur Këshilli ka kërkuar edhe më propozime, aty kanë shpërthyer përplasjet (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.