Kulturë

Vepra e Banksyt shpëtohet nga shkatërrimi

Një imazh autentik i Banksyt është rikthyer nga një kontejner i braktisur në plazhin Dungeness në Kent, pas frikës se mund të shkatërrohej nga pronarët e tokave.

Artisti i pakapshëm i grafiteve e ka krijuar imazhin me përshkrimin e një zogu me kokë të bërë nga një pjesë e pompës së benzinës, si një akuzë për botën ndaj ndotjes prej kompanive të vajrave, shkruan The Guardian, ndërsa “Koha Ditore” e transmeton sot. Pronari i lokacionit, kompania “EDF Energy”, i ka paralajmëruar vendasit për qëllimin që ta pastrojë plazhin që përfshinte shkatërrimin e kontejnerit – si pasojë edhe veprën e Banksyt. Me frikën se kjo ka qenë esenca, peshkatari vendas i cili ishte pronar i kontejnerit, ia shiti atë John Brandlerit, specialistit dhe tregtarit të Banksyt, i cili u sigurua që kjo vepër të mbijetojë.

Vizatimi, i cili ka masat 2.5 metra me 1.25, ishte krijuar në vitin 2004. Ishte vazhdimësi e një vepre të tij të realizuar në vitin 2001 – një zog duke predikuar në një degë – në kontejner të njëjtë të braktisur. Vepër kjo e cila më pas ishte shitur duke u prerë nga kontejneri, 12 ditë pasi që ishte përfunduar. Versioni i dytë është ruajtur nga ajri i ashpër detar, sepse peshkatari vendas kishte lyer me ngjyrë mbi punimin e grafistit të njohur.

“Po tërhiqte shumë vëmendje dhe po sillte njerëz në plazh ku peshkatari donte të shiste peshq. Vetëm pasi që ishte ngjyrosur, dikush hodhi sipër saj ngjyrë. Pronari e kishte lënë ashtu, pasi që po e shfrytëzonte kontejnerin si zyre. Më pas ‘EDF Energy’ donte të pastronte plazhin...Ai e dinte se nëse kompania do të dërgonte ekipin, ata do të shkatërronin gjithçka”, ka thënë Brandler për “The Guardian”.

“‘EDF’ i ka thënë peshkatarit se do të pastrojnë plazhin sepse është rezervë natyrore – që është mjaft ironike, duke pasur parasysh se ky punim është për industrinë petro-kimike që shkakton fatkeqësi...dhe zogjtë u vranë nga benzina”, ka shtuar ai.

Brandler e ka larguar punimin nga kontejneri me ndihmën e recikluesve të pavarur nga “Lan Logical”. Kompania me bazë në Dartford ka përdorur ekip të specializuar për të rikuperuar kontejnerin, për të ricikluar metalin dhe drurin e saj. Ai ka thënë se restaurimi i ka kushtuar një shumë të madhe të parave, por që vepra ka mundësi të kushtojë me qindra e mijëra funta. Ai shpreson se do të mbetet në Britani të Madhe dhe ta ekspozojë atë në “Brandler Galleries” në Brentwood të Essex.

Verën e kaluar, Brandler ka ndihmuar që të shpëtohet një tjetër vepër e Banksyt, e cila ishte e punuar në hapësirën e tualeteve publike në lindje të Londrës, për t’u zhdukur pasi që ishte shkatërruar me sprej nga këshilli lokal dhe më pas e lyer përsipër.

Banksy i njohur për imazhet e tij provokuese, e përshkruan veten si “vandal i kualitetit”, duke luajtur me autoritete përmes veprave në hapësira publike. Popullariteti i tij është aq i madh, saqë vepra “Girl with Balloon” – ku është e vizatuar një vajzë e vogël, e cila shikon ballonin në formë të zemrës i cili fluturon larg saj – ishte votuar si vepra më e dashur e artit në Britani të Madhe, duke lënë prapa kryeveprat siç është piktura “The Hay Waun” e Constable.