Kulturë

Dje iu dha lamtumira profesorit e poetit Basri Çapriqi

Vlerësimet për krijimtarinë e tij letrare, studimet, nivelin prej ligjëruesi e njeriu, i kanë paraprirë dhënies së lamtumirës për Basri Çapriqin, të martën, në Prishtinë. Të shumtë kanë qenë ata që kanë ardhur nga të gjitha trojet shqiptare për t’i nderuar atë dhe familjen e tij.

Por disa orë para se trupi i tij të prehet në varrezat e Prishtinës, në varrin fare pranë atij të poetit Ali Podrimja, një mbledhje përkujtimore është mbajtur në Fakultetin e Filologjisë, ku Çapriqi ligjëroi për më shumë se tri dekada.

Të pranishmit patën mundësinë që t’i lënë disa fjalë edhe në librin e zisë, i hapur tek dera e sallës, në tavolinën me portretin e tij dhe një buqetë lulesh të bardha.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, ka thënë se e ka të vështirë të flasë dhe të thotë fjalët e ndarjes për njeriun që kaloi jetën në sallë të ligjëratave, para studentëve të tij, para librit e punës, duke shkruar, që me mendjen e tij të ndritur të ndrisë mendjet e shumë të rinjve e të rejave. Ka përmendur se Çapriqi për gjashtë vjet si kryesues i organit më të lartë qeverisës të UP-së, Këshillit Drejtues, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në avancimin e cilësisë në UP e posaçërisht në avancimin e menaxhimit të mirëfilltë të financave të Universitetit. “Mësuam shumë nga profesori Basri. Mësuam se si t’i trajtojmë të gjithë në mënyrë të barabartë, se si në mënyrë të qetë t’i marrim mendimet nga të gjitha palët në mënyrë që vendimet të kenë zgjidhje të favorshme”, ka thënë ai. Demaj ka shtuar se me ndarjen nga jeta të Çapriqit, UP-ja humbi njërin nga profesorët më të çmuar, letërsia, kultura e publicistika humbën një shkrimtar të shkëlqyer, kolegët mikun e bashkëpunëtorin e respektuar, studentët udhërrëfyesin e tyre, ndërsa familja prindin e bashkëshortin e dashur.

Në emër të Fakultetit të Filologjisë, dekania Lindita Rugova ka folur në shkallën sipërore për Çapriqin si pedagog e koleg. Ka thënë se përmbledhjet e tij poetike tashmë të përkthyera në shumë gjuhë të botës e studimet e tij letrare do të mbesin pikë reference për shumë studiues të tashëm dhe të ardhshëm.

“Ai ishte edhe kryetar i PEN-Qendrës së Kosovës dhe bashkëthemelues i saj. Ishte anëtar i shumë asociacioneve kombëtare dhe ndërkombëtare. Profesori nuk e mbërriti ditëlindjen e 58-të për pak orë. E keqja e pafund e sëmundjes e mbërtheu fort dhe nuk e lëshoi. Megjithatë emri i tij tashmë ka zënë vend në mesin e atyre që kujtohen derisa të studiohet letërsia shqipe”, ka thënë Rugova.

Ndër miqtë e tij më të afërt të Çapriqit ishte kolegu i tij në poezi e në UP, Sali Bashota. Pos biografisë së Çapriqit, i cili u lind më 15 janar të vitit 1960, në Krythë të Ulqinit, Bashota ka thënë se poezia e tij sjell një sensibilitet të veçantë krijues në poezinë bashkëkohore shqipe, me idetë, stilin, figuracionin poetik, e të tjera. Ka thënë se duke qenë njëri ndër autorët më të njohur të brezit letrar të viteve ‘80 të shekullit XX, Çapriqi ka arritur ta ndërtojë dhe ta sistemojë një lirizëm të fuqishëm poetik, i cili mbështetet në filozofinë e tij krijuese përbrenda koncepteve të qarta moderne dhe postmoderne.

Poeti nga Shqipëria, Sadik Bejko, njëherësh sekretar i PEN-Qendrës së Shqipërisë, ka thënë se bëhet fjalë për një ditë të pikëlluar për kulturën, letrat dhe gjithë personelin akademik e studentët e Prishtinës. Ka thënë se është një ditë e pikëlluar për miqtë e tij dhe poezinë shqipe.

“Ditë e pikëlluar, sepse disa njerëz jeta i pajis me dhunti e dhurata të çmuara dhe jeta vërtet Çapriqin e pajisi me dhuntinë e poetit. Një poet i cilësuar me aromë mesdhetare. Një poet i shquar i letërsisë shqipe që e ka përfaqësuar poezinë shqipe në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”, ka thënë Bejko.

Në emër të familjes, vajza e Çapriqit, Bulëza Çapriqi, ka thënë se kanë shumë gjëra për t’ia thënë babait, por dhimbja për humbjen e tij të parakohshme është shumë e rëndë dhe nuk arrin dot t’i gjejë fjalët... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)