Kulturë

“Ethno Flamenco” nga Kosova në skenën prestigjioze të Katarit

Descriptive Text

Prishtinë, 21 mars - Muzika unike e trios nga Kosova, që gërsheton ngjyrat etno-ballkanike me tinguj të veçantë shqip e ritme të flamengos, do të dëgjohet në një sallë të njohur në Katar.

Agron Peni në kitarë, Astrit Stafai në oud dhe Ertan Iliyaz në cajon, sot (e martë), do të ngjiten në skenën e “The Opera House” në Doha, për një koncert njëorësh. Trioja e titulluar “Ethno Flamenco”, që e kishte nisur bashkëpunimin para shtatë vjetësh, ftesën për t’u prezantuar në sallën prestigjioze të Katarit e ka marrë nga “Pasion Turca”, një agjenci e menaxhimit dhe aranzhimit të ngjarjeve muzikore me seli në Madrid dhe me zyrë në Stamboll.

Kjo agjenci qysh prej vitit 2000 merret kryesisht me promovimin e muzikës e të vallëzimit nga shtetet e Mesdheut. Sipas uebfaqes zyrtare, “The Opera House” është e vetmja strukturë e këtij lloji në Katar dhe shtëpia e Orkestrës Filarmonike të Katarit.

“The Opera House” shumë shpejt e ka transformuar veten për t’u bërë një nga vendet e preferuara të artistëve e muzikantëve më me nam në botë. Modeli i saj i veçantë dhe i sofistikuar arkitektural gërsheton arkitekturën moderne me dizajnime tradicionale islamike. Ka kapacitet dhe ulëse për 550 veta. Për mysafirët i ka në dispozicion disa vende, përfshirë edhe tarracën mbretërore dhe sallat e veçanta edhe për VIP-a”, është shkruar aty.

Ertan Iliyaz nuk ka zbuluar shumë për veprat që do të interpretojë “Ethno Flamengo” para audiencës në Katar.

“Në këtë koncert, që do të zgjasë përafërsisht një orë, do të prezantohen vepra origjinale të instrumentistëve të trios”, ka thënë Iliyaz. Ai ka thënë se për trion është hera e parë që do të interpretojë në shtetin arab. Koncertin e konsideron edhe promovim të Kosovës (gjerësisht, sot në “kohën Ditore”).