Kulturë

“Hajduti i lindur” i pikturave të Van Goghut

Amsterdam, 21 mars - “Disa njerëz janë të lindur për mësimdhënës. Disa të tjerë futbollistë. Unë jam hajdut i lindur”, thotë Octave Durham, i cili kishte vjedhur dy piktura të Vincent van Gogh, në mbrëmjen e 7 dhjetorit të vitit 2002.

Pas më shumë se 14 vjetësh, siç thuhet në shrkimin e New York Times, të cilin e transmeton “Koha Ditore”, kur ai dhe një bashkëpunëtor i tij kishin hyrë në “Van Gogh Museum” në Amsterdam nëpërmjet çatisë, e kishin thyer një dritare me një çekan dhe kishin hequr veprat nga muri, Durham më në fund është pastruar nga përfshirja në një nga plaçkitjet më famëkëqija të artit. Ai e ka bërë këtë gjë në një dokumentar 45 minutash që do të shfaqet të martën (sot) në një kanal televiziv holandez, në të njëjtën ditë kur Muzeu planifikon t’i rikthejë të dyja pikturat para audiencës. Ky rrëfim nuk ka impakt ligjor për Durhamin, i cili ishte dënuar më 2004 dhe kishte bërë 25 muaj burg, por hedh dritë në një nga rrugëtimet më torturuese sa i përket vjedhjes së artit dhe krimit të organizuar.

“Plaçkitja zgjati 3 minuta e 40 sekonda”, thotë Durham në dokumentar. “Kur e përfundova, policia kishte ardhur aty dhe unë isha duke ikur me veturë. E hoqa maskën, e ula dritaren, dhe po i shikoja ata”.

Durham, në detajet që i ka shpalosur për herë të parë, pas shumë vjet pretendimesh për pafajësi, mburret për “vjedhje bankash, depozitash të sigurta dhe për vjedhje më spektakulare sesa kjo”. Ai thotë se e kishte vënë në shënjestër muzeun jo për shkak se kishte ndonjë interesim për artin, por thjesht për shkak se kishte mundur ta bënte. “Ky është syri i një hajduti”, thotë ai.

Veprat janë me vlerë të paçmueshme, sepse asnjëherë nuk janë hedhur në treg. E para, “View of the Sea at Scheveningen” e vitit 1882 është një nga dy prej peizazheve të detit që Gogh kishte pikturuar sa ishte në Holandë, dhe e dyta, “Congregation Leaving the Reformed Church in Nuenen” (1882-84), pasqyron kishën ku i ati i artistit kishte shërbyer si pastor dhe ishte dhuratë për të ëmën e artistit. Çmimet për pikturat me peizazhe të Goghut nëpër ankande vlerësohen prej 10 milionë deri në 70 milionë dollarë. Por Durham nuk e dinte sfondin historik të pikturave.

Ai kishte thënë se pikturat ishin gjëja më e vogël në galerinë që e ka pasur në shënjestër dhe gjëja më e afërt me vrimën prej së cilës kishte hyrë brenda. I kishte futur ato në një çantë dhe kishte ikur duke rrëshqitur poshtë nëpërmjet një litari që e kishte vënë bashkë me bashkëpunëtorin e tij. Kur kishte zbritur në tokë, ai kishte kërcyer aq shumë saqë e kishte çarë një pjesë të pikturës me panoramën e detit. Ai kishte lënë pas vetes një shkop të zi bejsbolli. Një rojë e sigurisë e kishte thirrur policinë, por nuk ishte lejuar të përdorte forcën që të provonte t’i ndalonte plaçkitësit.

“Ishte ditë vërtet e tmerrshme”, thotë Nienke Bakker, kurator në “Van Gogh Museum”. “Një plaçkitje është gjithmonë traumatizuese, por kur është fjala për një muze dhe artin e tij, kjo i takon gjithë komunitetit dhe gjithë botës. Dhe ishte vjedhur në një mënyrë aq brutale saqë ishte vërtet shokuese”. Kur ishte kthyer në shtëpi, Durham kishte thënë se pikturat i kishte hequr nga kornizat. Më vonë i kishte hedhur ato.

Durham nuk i kishte shitur pikturat në treg të hapur, por në botën nëntokësore. Ai ishte takuar me Cor van Hout, që ishte i dënuar për kidnapim më 1983. Ai ishte pajtuar t’i blinte pikturat, por ishte vrarë në ditën që planifikohej shitja. Më vonë Durman dhe bashkëpunëtori i tij Henk Bieslijn e kishin kontaktuar një mafioz italian, të quajtur Raffaele Imperiale, i cili shiste marihuanë në një “dyqan kafeje” në Amsterdam. Ai ishte pajtuar t’i blinte pikturat në mars të vitit 2003 për një çmim prej rreth 350 mijë eurosh, të cilin të dy hajdutët e kishin ndarë përgjysmë. Avokatët mbrojtës të Imperiales, Maurizio Frizzi dhe Giovanni Ricci në Genoa të Italisë, e kishin konfirmuar se Imperiale i kishte blerë pikturat pa e ditur se ato ishin të vjedhura, sepse “ai ishte i dhënë pas artit” dhe ato dukeshin “ujdi e mirë”. I kishte dërguar në Itali brenda dy javësh dhe asnjëherë nuk i kishte ekspozuar. Hajdutët kishin kaluar rreth gjashtë javë në New York, “me motoçikleta, një ‘Mercedes’ R320, rroba të bukura e stoli për të dashurën”, siç kujton Durham. Këto shpenzime u kishin ndihmuar hetuesve që veçse ishin duke e ndjekur atë. Kishin shkuar në apartamentin e tij për ta ndjekur, por ai kishte ikur.

Durham kishte fluturuar në Spanjë, ku policia e kishte arrestuar në Marbella, një qytet jugor, në dhjetor të vitit 2003. Verën e vitit tjetër hetuesit holandezë të forenzikës kishin konfirmuar se ADN-ja e tij përkonte me ato që kishte lënë mbi shkopin e bejsbollit, kur kishte kryer vjedhjen në muze. Durham dhe Bieslijn ishin dënuar me burg atë vit. Durham ishte liruar nga burgu më 2006, por ende i ka borxh 350 mijë euro gjobë: deri më tani i ka kthyer 60 mijë euro. Ishte rikthyer përsëri në burg pasi kishte dështuar ta plaçkiste një bankë. Më 2013 i ishte qasur muzeut dhe megjithëse insistonte se ishte i pafajshëm, kishte ofruar ndihmë për t’i kthyer punimet. Muzeu e kishte refuzuar ofertën e tij. Më 2015 ai ishte takuar me regjisorin e dokumentarëve Vincent Verweij nëpërmjet një miku të përbashkët. Durham i kishte thënë atij se dëshironte të ndihmonte në gjetjen e pikturave që të mund ta paguante borxhin që ia kishte muzeut dhe të braktiste jetën e krimit. Por vazhdonte të insistonte në pafajësi.

“I thashë sinqerisht që nuk i besoja. Një ditë më dërgoi një mesazh në ‘whatsApp’ dhe më kërkoi të takoheshim në kafe dhe ma pranoi se më kishte gënjyer dhe se ai kishte bërë vjedhjen”, ka thënë Vereeij, i cili me shumë zell kishte realizuar dokumentarin.

Willem Nijkerk, prokuror holandez, i kishte dhënë merita policisë italiane në zgjedhjen e rastit dhe kishte theksuar se Durham nuk ka luajtur rol në rikthimin e pikturave. Në shtator të vitit që shkoi hetuesit italianë kishin shkuar në shtëpinë e së ëmës së Imperiales në afërsi të Napolit, ku i kishin gjetur pikturat e fshehura në një hapësirë ndërmjet mureve të kuzhinës. Zbulimi i tyre u përmend në kryetituj botërorë. Përfaqësuesit e “Van Gogh Museum” ende mbeten të zemëruar me Durhamin dhe nuk kanë bashkëpunuar për dokumentarin që është financuar nga transmetuesi kombëtar holandez “KRO-NCRV”.