Kulturë

“Plaçkitësit” e Ben Apollonit dalin para publikut kumanovar

Regjisori nga Kosova, Ben Apolloni sot do të prezantojë shfaqjen “Plaçkitësit” para publikut kumanovar. Shfaqja “Plaçkitësit” sipas Joe Orton shfaqet më 16 janar, sot në Teatrin e Kumanovës, në fillim prej ora 20:00.

Edhe pse “Plaçkitësit” trajton momente të hidhura dhe tragjike jetësore, në stilin teatror paraqet komedi e zezë.

““Plaçkitësit” është një komedi e zezë me plot kuptimin e fjalës, sepse ndodhë në ditë funerali, në një ditë kur familjarët e të vdekurës do të duhej të ishin duke mbajtur zi, por ata në atë ditë i bëjnë të gjitha të zezat, duke mos pasur pikë respekti për të vdekurën. Kjo komedi e mbushur përplot situata e batuta komike, në fakt është shumë e hidhur dhe fshikulluese për njeriun e kohës tonë i cili ka humbur të gjitha vlerat njerëzore. Vlera për të cilat gjithmonë është folur, por duket se kurrë nuk kanë ekzistuar”, u shpreh për Portalb, regjisori Ben Apolloni.

Personazhet e komedisë “Plaçkitësit” në regji të Ben Apollonit dhe ndihmës-regjie Ibër Deari, në skenë do të vijnë nën interpretimin e aktorëve rezidentë të Teatrit të Kumanovës: Sefedin Shabani, Shkëlqim Islami, Ismail Kasumi, Qazmedin Nuredini, Mirsad Abazi, dhe aktores mysafire nga Shkupi, Rabije Alilovska.

Përndryshe, kjo vepër e Joe Orton është konsideruar shumë provokuese dhe ka shkaktuar shumë debat në kohën kur është shfaq për herë të parë (1965).

Në trajtimin regjisorial aktual, në skenën e Teatrit të Kumanovës kjo shfaqje do të jetë provokuese, por jo vetëm më përmbajtjen por edhe si realizim skenik.