Kulturë

Violonçelisti shqiptar, mysafir në albumin e Robert Plantit

Në kohën dhe vendin e duhur, me një dozë fati, shumë lehtë ëndrra merr formën e realitetit. Një muzikant entuziast tiranas, para më shumë se dy dekadave, do ta admironte nga largësia atë që sot konsiderohet si një prej rock këngëtarëve më të mirë të të gjitha kohërave.

Asokohe s’e kishte menduar se më 2017, emrat e të dyve do të shkruhen në të njëjtin disk. Violonçelisti shqiptar Redi Hasa, 2017-n do ta mbajë mend gjatë, shkruan “Koha Ditore”. Kjo për shkak se ky vit shënon bashkëpunimin me Robert Plantin, ishvokalistin e tekstshkruesin e rock-bendit legjendar “Led Zeppelin”.

Hasa rrëfen sesi takimi i tij me Plantin qe një rastësi e bukur, që rezultoi me përfshirjen e tij në tri këngë në albumin më të ri të muzikantit që e kishte admiruar si i ri në Tiranë. Dhe flet me shumë pasion për muzikën.

Hulumtimi i vazhdueshëm i tingullit

Hulumtimi i tij mbi tingullin e violonçelit ka nisur qysh kur ishte 6 vjeç. I rritur në një familje muzikantësh, sikur e kishte të paracaktuar fatin. Asnjëherë nuk ishte kufizuar rreth asaj që violonçeli i takon botës së muzikës klasike. Herë si pjesë e orkestrave e herë në një udhëtim solo, ai i ka dhënë formë karrierës muzikore.

“Jam gjithmonë në kërkim. Në eksperimentim për të zbuluar më shumë mbi këtë instrument”, thotë violonçelisti Radi Hasa, i cili u lind në Tiranë më 1977, por aktualisht jeton në Lece të Italisë. Në moshë të re kishte nisur studimet për violonçel. Ka diplomuar në Akademinë e Arteve të Tiranës. E ëma e tij ishte mësuese e violonçelit, derisa i ati pianist. Kësisoj, do të ishte në kontakt të përhershëm me muzikën.

“Kam qenë gjithmonë me këtë udhëtimin e muzikës, në botën e muzikës, duke pasur nënën violonçeliste dhe babanë pianist. Kështu që për fatin tim të mirë, kam qenë gjithmonë në kontakt me muzikën. Pastaj kam pasur lidhje shumë të forta me violonçelin, sepse pak nga ime mëmë, pak nga dëshira për të zbuluar këtë tingull, kisha shumë kuriozitet”, rrëfen Hasa, i cili ka më shumë se tri dekada që nuk i është ndarë muzikës. Ai thotë se violonçeli shpeshherë shihet në formacione orkestrash që luajnë muzikë klasike, por ai nuk do të mjaftohej asnjëherë me këtë.

“Kisha shumë dëshirë të eksperimentoja mbi këtë, të hulumtoja forcën e këtij instrumenti të mrekullueshëm. Kështu që jam gjithmonë në kërkim, në eksperimentim për të zbuluar gjithmonë më shumë mbi këtë instrument”, ka thënë Hasa, i cili para se të shkonte në Itali kishte qenë pjesë e një rock-bendi me kantautorin shqiptar Bojken Lako... (shkrimin e plotë e gjeni në numrin festiv të “Kohës Ditore” për Vitin e Ri)