Kulturë

Mitomania, dalldisja nacionaliste dhe krimet kundër njerëzimit

Descriptive Text

Pa ndikimin e miteve, legjendave, simboleve, rrëfimeve, por edhe të lartësimit e lavdërimit të së kaluarës vështirë se mund të flitet për formimin e identitetit kombëtar, fetar apo për identitetet e tjera kolektive. Këto mundësojnë dhe forcojnë identitetin në atë masë sa që i japin elementin e nevojshëm të lashtësisë, si dhe hapin shtigjet e vazhdimësisë.

Mirëpo, çka ndodh kur mitet, krejtësisht të manipuluara e të pavërteta, vihen në shërbim të pushteteve politike për të anatemuar popujt dhe në raste të skajshme edhe për të kryer masakra e dëbime ndaj tyre? Këtë problem tragjik e të kahershëm mundohet ta trajtojë dhe në rastin mjaft domethënës, siç është ai i Serbisë. Libri, për fat të keq, na vjen në gjuhën shqipe me mjaft vonesë, marrë parasysh se është botuar për herë të parë në anglisht më 1999, shkruan sot Bekim Baliqi në Koha Ditore.

Megjithëkëtë, pasqyrimi i miteve, përshkrimi i ngjarjeve historike dhe ndikimi i tyre në luftërat dhe krimet e luftës së fundit në ish-Jugosllavi mbesin akoma aktuale dhe tejet të rëndësishme. Ndoshta, pikërisht tani më shumë se kurrë na nevojitet një libër i tillë, që sjelljen dhe veprimet e Serbisë në këto luftëra i quan me emrin e duhur, pra gjenocide. Anzulović, një historian kroat i emigruar kaherë në ShBA, mjeshtërisht i shpërfaq burimet mitike e historike të një ideologjie e politike, e cila për dekada kultivoi një kulturë të përhapur mitesh të së pavërtetës rreth vetes dhe popujve të tjerë, e në rend te parë ndaj shqiptarëve.

Kështu që edhe rrënjët e miteve të tilla mund të gjenden në mitin e famshëm të Betejës së Kosovës, më 1389, që shërben në ngritjen e Milosheviqit dhe një fushate pasuese shoviniste e kriminale. Edhe pse faktet historike, siç e vë në pah edhe autori, betejat e tjera si ajo e Maricës më 1371, ishin më dramatike dhe më vendimtare për fitoren e turqve në Ballkan.

Krijimi dhe shpërndarja e miteve të rrejshme dhe ideologjive të tilla që çojnë në gjenocid, e filluar nga Kisha Ortodokse serbe, nga shkrimtarë e intelektualë të famshëm si Njegoshi, Dobrica Qosiqi e pasuar nga Akademia e Shkencës dhe e Arteve e Serbisë, dëshmon se sa patologjike mund të jetë një mendësi e tillë e cila shenjtoren veten dhe djallëzon të tjerët. Prandaj, nuk duhet të na çudisë fakti që Kisha Serbe i ka 59 shenjtorë kombëtarë, 26 prej të cilëve kanë qenë sundimtar apo pjesëtar të familjeve sunduese (fq. 40).

Krijimi i iluzionit prej popullit hyjnor, me kaq shumë shenjtorë e legjenda për të kaluarën, nuk ka se si të shpjegohet ndryshe vetëm se si një tentim për shërimin e traumave nga disfatat e betejave, dhe shndërrimi i humbjeve në sakrifikim religjioz e triumf transcendental. Shënsavizmi (Svetosavlje) si një shkrirje e kishës, shtetit dhe nacionalizmit serb, ishte tërësisht në funksion të krijimit dhe propagandimit të ideve pansllaviste. Pas shtjellimit historik të periudhës së mesjetës, ku trajtohen marrëdhëniet e vasalëve serbë me Perandorinë Osmane, në kapitullin vijues analizon poemën e famshme “Kurora e maleve” (Gorski vijenac) 1847 nga Petar Petroviq-Njegoshi, ku shpërfaqen dhuna dhe gjenocidi ndaj myslimanëve, si frymëzim për ideologët e mëvonshëm të luftërave në Ballkan.

Megjithatë, këtu autori bie në kurthin e shumë të tjerëve, sepse e sheh dhunën si diçka “endemike” për banorët e malësisë dinarike, duke përgjithësuar shkaqet dhe natyrën e saj dhe shkoqitur atë nga rrethanat shoqërore e politike. Kapitujt vijues bëjnë një lexim selektiv të historisë serbe dhe në mjaft raste duket se nuk ofron burime fort bindëse, duke iu referuar herë veprave letrare e herë burimeve dytësore historiografike.

Sidoqoftë, ajo në çka vlen të përqendrohen lexuesit, janë veçanërisht programet kombëtare serbe, si ‘Načertanije’ e deri te Memorandumi i Akademisë, të cilat shërbejnë akoma si platforma ideologjike e manifeste nacionaliste panserbe. Sidomos, tani kur Akademia Serbe ka vazhduar edhe më 2012 dhe 2017 me përpilimin e programeve të reja dhe të ngjashme me atë famëkeqen, është e domosdoshme për udhëheqësit dhe intelektualët e Kosovës kuptimi i qëllimeve të tyre dhe gjetja e mënyrave për parandalimin dhe realizimin e këtyre qëllimeve.

Me gjithë mangësitë e caktuara metodologjike e shkencore, libri arrin mjeshtërisht të vërë në pah se “mitet dhe gënjeshtrat përdoren për të justifikuar politikat e painformuara dhe për të fshehur injorancën e imoralitetin e krijuesve të tyre.” (fq. 284). Prandaj do të duhej lexuar dhe nënkuptuar si një paralajmërim për një politikë dhe shtet i cili udhëhiqet nga mitet. Se një popull i cili hyjnizohet vështirë mund të përballet me realitetin tokësor dhe të marrë përgjegjësitë për krimet e së kaluarës. Për më tepër, libri na fton që të reflektojmë për rrezikun që i kanoset secilës shoqëri, në ketë rast edhe asaj shqiptare, se çfarë tragjedish mund të ndodhin kur mitet kombëtare dhe trillimet historike bëhen nxitës e udhëzues të vet-viktimizimit, urrejtjes patologjike dhe dalldisjeve nacionaliste.