Kulturë

Letra e Agollit në një Vit të Ri: Të jetosh është heroizëm; mund të vdesësh edhe në fillim të jetës

E bija e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli ka pritur fundvitin e parë pa babanë e saj. Ajo e rrethuar me trashëgiminë e tij artistike, ka ndarë disa shënime nga ditari i shkrimtarit, ku kishte shkruar për ndjesitë e tij në Vitin e Ri të 2009-së.

“Shënime në kapërcyell të viteve nga ati im, shënime që për mua frymojnë”, ka shkruar Elona Agolli, vajza e shkrimtarit të madh shqiptar, shkruan ATSH.

Shënimet e autorit të madh shqiptar, i cili në atë fillimvit i rrethuar me nipin dhe mbesën, ndihej si një plak i Vitit të Ri.

Letra e Agollit:

Viti 2009. Arrita deri këtu dhe jam një hero, se mund të mos e kisha arritur. Të jetosh është heroizëm; mund të vdesësh edhe në fillim të jetës, duke mbledhur lule dhe duke ditur se ç’janë fishekët. Ndaj unë në këtë ditë të Vitit të Ri luaj me Emilin dhe Drisartën, bëhem si plak i Vitit të Ri, duke vënë një mjekër dhe mustaqe. Në fakt mjekrën ma vunë Emili dhe Drisarta, dy engjëj të vërtetë.

Sadija krah meje shikon me një fytyrë të mallëngjyer e të përvuajtur plot trishtim e dashuri. Ajo e ndjen se këtij plaku, mua, po i vjen fundi. E kuptueshme. Shumëzimi i viteve është shkurtimi i ditëve të pleqve. Ja, unë i telefonova Arqile Aleksit, që ka qenë me mua gazetar në “Zërin e Popullit” në fund të viteve 50-të dhe në vitet 60-të të shekullit të kaluar.

Ja dëgjova zërin sikur i vinte nga një botë tjetër. “E hëngrëm edhe këtë gjeldeti”- më tha.

Kishte të drejtë. Ne hanim gjelat e detit në shekullin e 20-të, por nuk thoshim: “E hëngrëm dhe këtë vit”. Ishim të rinj.

{gallery}