Kulturë

Artistët hebrenj përballë antisemitizmit në Berlin

Descriptive Text

Piktori i lindur në Rusi, Yury Kharchenko, ka jetuar në Berlin për tetë vjet. Siç i ka thënë “Deutsche Welles”, e ka përjetuar antisemitizmin gjatë gjithë jetës, por djegia që iu bë së fundmi flamurit me Yllin e Davidit dhe këngët antisemite, e kanë prekur shumë.

“Çfarë ndodhi në dhjetor në Portën e Brandenburgut për mua ishte vërtet e vështirë për t’u përpirë”, thotë ai, duke përmendur që demonstrata, e përbërë kryesisht nga njerëzit e origjinës arabe ndodhi pikërisht një ditë para fillimit të Hanukkah, festës tradicionale hebraike, shkruan DW, transmeton “Koha Ditore”.

Edhe pse Kharchenko thotë që ka shumë kundërshtime ndaj politikave të Donald Trumpit, ai mbështet vendimin e presidentit amerikan për të zhvendosur ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem, një vendim që nxiti demonstrata jo vetëm në Berlin, por edhe në shumë qytete të botës.

Ndryshe, piktori berlinas Olaf Kühnemann, që e quan veten “100 për qind izraelit” dhe ka refuzuar të identifikohet me kombin apo identitetin religjioz, e kupton përse shumë njerëz kanë shprehur pakënaqësi me lajmin, që është mirëpritur ngrohtësisht nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

“Është rezolutë cinike që nuk merr parasysh situatën komplekse të Jerusalemit dhe rëndësinë e saj në shumë religjione dhe kultura”, thotë ai, duke shtuar se sipas opinionit të tij, kjo lëvizje nuk i kontribuon mirëqenies së popullit në Izrael dhe Palestinë – sikur as djegia e flamurit dhe këngët antisemitike. Por ai gjithashtu ka vrojtuar se “njerëzit që djegin flamujt të kombeve të tjera mund të kenë pasur arsye personale që e kanë bërë këtë, e që kanë rrënjë në vetë përvojën e tyre jetësore”.

Kühnemann nuk e ndjen që ngjarjet e fundit përfaqësojnë një dimension të ri të antisemitizmit në Gjermani. Sidoqoftë, fotografi i ri Benjamin Reich, që vjen nga një familje ultra-ortodokse izraelite, ende nuk është i sigurt sesi t’i perceptojë demonstratat e dhjetorit.

“Deri tani, asnjëherë nuk e kam lidhur termin ‘antisemitizëm’ me palestinezët apo arabët në përgjithësi, duke qenë se edhe ata janë të gjithë semitë. Kjo mund të ketë ndryshuar tani”, shton ai... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)