Kulturë

Tridhjetë këngë për tri dekadat e “Zambakut të Prizrenit”

Festivali “Zambaku i Prizrenit”, para tri dekadash qe themeluar me qëllimin për ta kultivuar këngën e kompozuar në frymën e këngës së vjetër qytetare, shansonës, romancës e formave të tjera të lira muzikore.

Prizreni ishte qyteti që i shkonte më së miri përshtati kësaj fryme. Në 30-vjetorin e themelimit të festivalit, njëri prej themeluesve, kompozitori Reshat Randobrava, i ka vënë vetes një mision të veçantë: përzgjedhjen e 30 këngëve më të mira që janë interpretuar në skenën e “Zambakut...”, ndërmjet viteve 1986 e 2016, shkruan sot “Koha Ditore”.

Dy disqe që dokumentojnë traditën dhe përmbledhin kompozimet më të mira të festivalit, do të promovohen të mërkurën në Prizren, në ditën e përvjetorit të festivalit. Mes tyre, janë përfshirë këngët “Puhiza në zambak”, kënduar nga Valentina Saraçini, kompozuar nga Reshat Randobrava më 1987, “Prizren ti margaritar” kënduar nga Mihrije Braha e Naim Abazi më 1986, “Motiv i ri” kompozuar nga Pranvera Badivuku, kënduar nga Edona Llalloshi më 1997, “Kënga le të marrë udhë” kënduar nga Elida Kryeziu me kompozim të Musa Piperkut, “Premtimi i vjetër” kompozuar nga Edon Ramadani, kënduar nga Lindita Hakaj më 2006, “Pranë lumit të Bekimit” kënduar nga Enkele Bisha, kompozim i Xhevdet Gashit më 2012, “Një fjalë”, kënduar nga Hana Caku, kompozim i Valton Beqirit më 2009 e të tjera.

Kompozitori Reshat Randorava ka thënë se gjatë punës së tij shumëvjeçare në produksionin muzikor të Radiotelevizionit të Prishtinës ka realizuar shumë projekte, një prej të cilëve është edhe themelimi i festivalit “Zambaku i Prizrenit”. Asokohe, drejtoreshë e produksionit muzikor të RTP-së, ishte kompozitorja Sevime Gjinali. Dhe edicioni i parë qe mbajtur më 27 dhjetor të vitit 1986... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)