Kulturë

Qafë-Shtama, perla turistike shumë afër Tiranës

Descriptive Text

Qafë-Shtama është vetëm 45 km larg kryeqytetit dhe 23 km larg qytetit historik të Krujës.

Një destinacion për turizmin e natyrës, historisë, atë kurativ dhe të aventurës, këtë vit është vizituar nga rreth 9 mijë vizitorë, transmeton atsh.

Statistikat janë nxjerrë nga AdZM e Durrësit që administron këtë Zonë të Mbrojtur.

Kampi kurativ dhe relaksues ka ngelur po ai i para viteve ’90. Mungojnë investimet në hoteleri, gastronomi dhe në infrastrukturën rrugore megjithëse rruga automobilistike është ndërtuar rishtazi,por nuk mirëmbahet për të mos pasur problem sidomos në periudhën e dimrit.

Kjo zonë ka mjaftë monumete historike e natyrore që duhen bërë atraktiv për turizëm gjithvjetar.

Sa ndahesh me qytetin e Krujës dhe merr në të majtë të tij, ku një udhëzues në formën e një tabele të shtrëmbëruar të tregonë kthesën për në Qafë-Shtamë, të del përpara një pikë karburanti e me vështirësi orientohesh për në rrugën drej pikës turistike.

Kthesa të shumta, ndërtime që ngushtojnë rrugën e plot peripeci të tjera derisa futesh në grykën e luginës së Cudhit.

Aty prezantohesh me Shkëmbin e Vashave ose të “Vajës”.

Një humnerë e thepisur që shkon poshtë rrëpirës qindra metra.

Në pllakën memorial gdhendur në shkëmb të tregojnë se : 90 vasha krutane, u hodhën nga maja e atij shkëmbi për të mos u turpëruar prej ushtarëve osman. Mbi pllakë janë zhgarravitur disa rreshta që s’kujtohet kush ti heqi prej andej.

Ajo është një përkujtimore që duhet nderuar, aq më tepër që akti heroik është kryer nga gra.

Poshtë humnerës shtrihet një luginë e bukur ku Bashkia e Krujës hedh mbetjet urbane të qytetit!

Po kështu, ka dhe disa dëmtime edhe mbi pllakën e Kroit të Nanës Mretneshë që gjendet në hyrje të kampit.

Ky krua ka një histori mbretërore dhe një ujë të pakrahasuar për cilësinë e tij.

Mirëseardhjen aty ta jep qeni i kampit tepër mikpritës.

Pastaj prezantohesh me godinat e vjetra e të pa ndriçuara,të ftohta e të lagështa që vështirsojnë kalimin e një nate dimërore.

Klima aty është tepër relaksuese dhe ajri i pastër.

Kampin e vjetër dhe fshatrat rreth tij, i administron Bashkia e Krujës.

Krahas punëve të mira në infrastrukturën rrugore, që për fat të keq ka filluar të prishet vende-vende dhe duhet mirëmbajtur urgjentisht, duhet punuar për ndërgjegjësimin e banorëve të zonës për resurset turistike të saj, si dhe duhet punuar për menaxhimin gastronomik të ish kampit sepse shërbimi nuk ështe në lartësinë e duhur.

Jemi në fillimin e sezonit turistik dimëror dhe duke konsideruar se turizmi malor është prioritet dhe një burim i mirë fitimi ekonomik, mund të them se kjo bukuri natyrore shfrytëzohet pak edhe për shkak të prezantimit, shërbimit apo dhe të moskonsiderimit si një burim fitimi.

Kjo është një zonë që merret kryesisht me blegtori dhe me bujqësi, por prodhimet e tyre mbeten pa treg për shkak se nuk kanë mundësi komunikimi me zonat e gjera të konsumit.

Turizmi është një tjetër burim i rëndësishëm ekonomik nëpërmjet shitjes së produkteve bujqësore, blegtorale dhe punëve artizanale te vizitorët e shumtë që ngjiten në këto lartësi.

Pyjet, ajri i pastër, ushqimi i freskët dhe tradicional e mbi të gjitha uji i pijshëm i kësaj treve, është i veçantë.

Parku ka filluar të ruhet e të mirëmbahet nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor, nuk është prekur nga keqbërësit dhe pemët nuk janë dëmtuar. Një ndihmë të madhe mësohet se kanë dhënë edhe banorët e zonës, të cilët e ruajnë me fanatizëm parkun.

Simboli i kësaj pike turistike, është Kroi i “Nanës Mretneshë”, që emrin e ka marrë në vitet 1930-të, sepse këtu merrte ujin e pijshëm familja mbretërore.

Aty sot është ngritur një qendër kuruese për sëmundjet e mushkërive dhe një impiant për ambalazhimin e ujit të pijshëm. Edhe pse rruga është e mirë, me peizazhe të bukura natyrore, kjo zonë nuk vizitohet sa duhet, por mbetet disi e izoluar.

Parku Kombëtar i Qafë-Shtamës, ndodhet jo larg Tiranës dhe Aeroportit “Nënë Tereza” nga ku vizitorët e huaj që mbërrijnë në vendin tonë dhe janë kurioz të sodisin natyrën e bukur të vendit, e kanë destinacionin më të afërt. Aty do të gjejnë të ndërthurur natyrën me historinë.

Në këtë sezon kur gjethet bien, shirat dhe i ftohti paralajmërojnë borën e dimrit, vizitorët nuk mungojnë në Qafë-Shtamë, por janë të pakët sepse nuk gjejnë kushtet e duhura.

Qafë-Shtama është shumë afër Kryeqytetit,prapa Dajtit dhe duhet shfrytëzuar në çdo stinë të vitit.

Image
Image
Image
Image