Kulturë

“Të harruarit” përplasen midis burgut individual e kolektiv

Descriptive Text

Prishtinë, 15 dhjetor - “Kah po shkon?”, është pyetja me të cilën është përballur dhjetëra herë secili që ia ka mësyrë ta shohë shfaqjen. Pos që e ka përgatitur publikun se shfaqja është duke filluar derisa secili rehatohej në ulësen e vet në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, më vonë është marrë vesh arsyeja prapa pyetjes. Maskat kanë qenë të shumta në hapësirën e rrethuar me tela si element kryesor i skenografisë.

Skena herë ngjan me kamp përqendrimi, pastaj duket si burg, hapësirë e një shteti të izoluar e edhe si kasolle qensh. Që të dy aktorët e shfaqjes, Edlir Gashi dhe Qëndresa Kajtazi, kanë “dhomat” e veta brenda telave. Gashi nis të rrëfehet për jetën e një qytetari të Kosovës, i cili i pakënaqur me gjendjen në vend ua ka mësyrë shteteve të huaja. Por e kanë zënë diku dhe tash po mbahet i ngujuar. I qanë 18 vjetët e shtetit të lirë. Jo rrallë ulërinë. Në një rast bën edhe një festë brenda shtetit të rrethuar, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm. Shpërndan kravatat gjithandej telave e feston me zëvendësministrat e shumtë. Tallet me autoritetet ndërkombëtare në Kosovë dhe thotë se ato po i harmonizojnë përrallat me ato vendoret. Krejt kohën nxjerr dufin, pavarësisht në çfarë roli është.

E qytetarja tjetër e Kosovës, që në këtë rast portretizohet nga Qëndresa Kajtazi, ka kohë që është në burg. Rrëfimi i saj është ai i një njeriu të izoluar nga shoqëria. Është dhunuar në luftë.

Regjisorja Aliu për tekstin është inspiruar nga poezitë e Ardiana Prishtinës dhe nga disa vargje të Mitrush Kutelit.

Shfaqja “Të harruarit”, që shoqërohet me piano nga Alzan Gashi, brenda 35 minutash shpërfaq një botë të përditshme të shumicës. Këtë e bën brenda telave që në secilin rast perceptohen si burg (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.