Kulturë

Etika diskurseve e “Këngëve...” të Radovan Zogoviqit

Descriptive Text

Vepra “Ardhësit - Këngët e Ali Binakut” (1937/1958) e autorit malazias Radovan Zogoviq është një vepër atipike në korpusin e letërsive ballkanike, si për kontekstin specifik të shfaqjes së saj, ashtu edhe për strategjitë diskurseve, të cilat i vë në funksion, dhe posaçërisht për etikën diskursive dhe relacionin ndaj Tjetrit, i cili në letërsitë ballkanike (por jo vetëm) ka qenë dhe është per definitionem problematik.

Procesi i leximit dhe i receptimit të këtij teksti te ne kryesisht është realizur në kornizat e kritikës kontekstuale (historike e politike) (Çapriqi 2015, Berisha 2016), prandaj edhe uni lirik (ich form), sipas koncepcionit të njohur hegelian, barazohet me zërin e poetit: “Këngët e Ali Binakut janë zëri i poetit Radovan Zogoviq, janë zëri i ndërgjegjes së tij dhe i atyre që nuk pajtoheshin me masakrat që shteti zbatonte ndaj shqiptarëve. “Dhe na rrëzuan, na zhveshën në bar, na shkelën (Kënga e tretë). Ali Binaku përsiat për të kaluarën dhe të tashmen, ballafaqon fakte e të dhëna; i peshon me mprehtësinë e mendjes dhe me pasurinë e përvojës. Në të vërtetë, Ali Binaku është sa drama e shqiptarëve të Dukagjinit, aq edhe drama e Zogoviqit dhe e të gjithë atyre malazezve që mendonin si ai është zëri guximtar i shprehur përmes artit të fjalës kundër politikës shoviniste serbe”. (Berisha 2016, 20). Ndonëse leximet e tilla mund të konsiderohen deri diku legjitime, posaçërisht në kontekstin e paradigmës së pragmatikës së komunikimit, aq më parë kur vetë teksti ofron indicje, kronotope e figura “reale” që e ankorojnë atë në kontekstin e kohës-hapësirës specifike sociale e politike, interpretimit të tij do t’i qasemi nga një perspektivë më e “reduktuar”, “formale”.

Edhe pse është e ditur se çdo tekst hyn në relacione të veçanta me tekstet e tjera dhe Tekstin kulturor përgjithësisht, se çdo diskurs, e posaçërisht diskursi letrar, hyn në relacione specifike me rrjetin dhe tërësinë e diskurseve, në interpretimin dhe analizën, gjithsesi të reduktuar, të kësaj vepre do të nisemi nga presupozimi se çdo tekst koherent dhe i përfunduar si tërësi e konstrukton, në një kuptim, një univers semantik. Por teksti poetik i Zogoviqit do të konsiderohet, siç e theksonte Kristeva, edhe si një hapësirë e prodhimit të kuptimeve, të cilat ia mundësojnë dhe e konstituojnë atë edhe si një hapësirë dialogjike intertekstuale. E gjithë kjo në funksion të shqyrtimit të relacionit midis etikës dhe letërsisë, çështje kjo tepër akute në debatet aktuale letrare, apo edhe të përgjegjësisë së formës, siç do ta formulojnë në kontekstin bartian.

Në paratekstin në prozë, që u paraprin dymbëdhjetë këngëve, Ali Binaku shfaqet si një dramatis personae, në një gjendje krize ekzistenciale, i ngujuar në një kohë të vështirë dhe në një hapësirë të nbyllur, të cilat dikur përfaqësonin kronotopin e kodit edenik që e konstituonte universin e tij ekzistencial (lebenswelt-in e tij), por që po i nënshtrohet shpërbërjes dhe shkatërrimit, sepse kanë ardhur sundues mizorë, të cilët duan t‘ia zhbijnë gjurmët edhe atij, edhe fisit të tij nga Dukagjini... Këtë lebenswelt (i ofruar si figurë diskursive tokë, e cila me leksemat tjera e modelon një ndër fushat semantike mbizotëruese në universin diskursiv të Këngëve...) akterët diskursivë “anonimë” – sunduesit dhe ardhësit, si dramatis personae kolektiv, tanimë janë në proces të transformimit në një lebensraum. Edhe pse teksti fillon me një prozë, si kategori liminale e pragut/kufirit midis botës fiksionale dhe asaj reale/aktuale, në tërësinë e tij është i strukturur si një modus lirik, në formë të dymbëdhjetë këngëve, me elemente të theksuara narrative, konsiderojmë se për përshkrimin e universit të tij semantik dhe proceseve të gjenerimit të kuptimit mund të shërbehemi me disa elemente të modelit aktancial të Greimasit, i menduar fillimisht për përshkrimin e strukturave narrative, por që në zhvillimin e mëvonshëm vetë Greimas, në mënyrë të qartë, e sheh si një instrument valid edhe për përshkrimin e proceseve të gjenerimit të kuptimeve në cilindo tip të diskursit (Greimas&Courtes 1979, 1986). Kështu, modeli bazik i tij do të mundë të reduktohej në modelin:

MST: Subjekti – Objekti – Antisubjekti/Subjekti negativ

Subjekti i përfshin në vete si subjektin e thënies, respektivisht subjektin diskursiv (Unë Ali Binaku numëroj rruzaret e nemitura...), por edhe ’Dhënësin’, i cili origjinarisht e ka në pronësi Objektin (i projektuar me figurën tokë nëpërmjet rezonancës së saj semantike në lebenswelt-in e akterit Ali Binaku), pronësinë e të cilit e pretendon dhe e merr me dhunë Antisubjekti (këtu dhe në rolin e ‘Marrësit’), i emërtuar më pas edhe si Subjekt negativ, duke ia nënshtruar një transformimi të dhunshëm:

I shembën gjerdhet e mia si grurin,

I shkelën gjerdhet e mia si grurin e shtrirë;

I shtypën livadhet e mia të blerta

Si rrushin....

(Kënga e dytë)

... Shkretí. Vërshima e territ i përmbyt gjemitë e çara të shtëpive. –

... Torishtat dhe kullosat u lëruan!...

... Rrugët tona të gjera u lëruan.

Bé bëj –

Në varre rritet patatja!..

(Kënga e pestë)

Për Subjektin lirik (Ali Binakun), i cili në nivelin e diskursit lirik është analogon i Subjektit aktancial (element i strukturës së thellë semantike), ky transformim (i modeluar me imazhe apokaliptike) përfaqëson një shkatërrim dhe destruksion të plotë të lebensweltit të tij, të hapësirës “private” e “publike”, por edhe të vetë korporalitetit dhe spiritualitetit të tij:

Na goditën, tinëzisht na goditën,

Në prehjen e mëngjesit nën bli na goditën.

Dhe na plandosën, na lakuriquan, na shkelën

Si dushmanët duajt e dushmanit...

(Kënga e tetë)

...Erdhën tokëngrënësit, i matën arat, i prenë vijat,

i regjistruan, dhe i nënshkruan,

dhe vijë mbi vijë, dhe sinor mbi sinor i palosën,-

tokën tonë

si fjalën tonë

e myllën me shtatë vula.

(Kënga e njëmbëdhjetë)

Kalimi nga niveli aktancial i Subjektit te Subjekti lirik dhe i Objektit te hapësira dhe figurat diskursive të botës së jashme e shënon transformimin nga dimensioni i thellë semantik në universin semantik të dikursit. Hapësira, edhe ajo gjeografike (“Natë. Hëna e vështron trishtueshëm Shqipërinë dhe Dukagjinin...”), edhe si topografi tekstuale e diskursive e lidhur ngushtë me temporalitetin, jo vetëm që luan një rol metaforik, si projeksion i gjendjeve të brendshme të subjektit lirik, e formëson identitetin (edhe etnokulturor) e tij, por edhe identifikimin orfik me vetë natyrën:

Dhe rri, rri. Me degët bisedoj

me gjuhën e gjetheve. Dhe zogjtë i kuptoj.

Dhe zogjtë thonë: nuk shungullojnë erërat në degë

për t’i vrarë zogjtë, që zogjtë nga degët t’i rrëzojnë,

por që degët,

por që degët zogjtë t’i mbrojnë.

(Kënga e tetë)

duke e shtrirë kështu hapësirën diskursive drejt një eko po-etike.

Modelimi hapësinor realizohet si në nivelin sintagmatik të hapësirës tekstuale, ashtu edhe në atë paradigmatik/transcendental. Në nivelin e figurave të diskursit, vrasja e lejlekut (edhe si shkatërrim në nivelin paradigmatik/transcendental), për shembull, modelimi hapësinor me logjikën e opozicioneve binare tejkalohet duke u bashkuar te sakralja orfike. Destruksioni realizohet në aksin

lart → kulmi → oxhaku → lejleku

↑↓ → sakralja

poshtë → toka → themelet → varret

Relacionet hapësinore të vizualizuara, është thënë shpesh, janë dominante në ekspresionizëm. Por edhe vetë organizimi vizual i tekstit, me ritmin e vet diskursiv, i strukturon dimensionet hapësinore:

Dëgjoj, dëgjoj:

nga streha

ime

pikon

gjak.

(Kënga e parë)

Subjekti (lirik) në fund të tekstit e tejkalon strukturën antitetike të ideve dhe imazheve – të universit semantik – duke kaluar nga opozicioni Unë/Ne – Ju/Ata në një pikë korporale unike:

Thikën e ngulën midis nesh

Në mishin tonë prej toke!

(Kënga e dymbëdhjetë)

që përfaqëson edhe një mundësi të rikuperimit dhe vendosjes së një universi unik semantik – kur (do të) tejkalohet logjika e opozicioneve binare si logjikë e subordinimit dhe dominimit.

Kjo logjikë e opozicioneve binare tejkalohet edhe nëpërmjet simulakrumit të dyfishtë greimasian, qoftë përmes modalieteve të ’mesazhit brenda mesazhit’: Mbi mua të vetmin, në kohën e fisit në mua,/ishin tre perandorë, që vinin për të mos shkuar,/që varret tona dhe fshatrat tona i ngrenin si gota/dhe ngrenin dolli mbi tavolina e kufij,/dhe i bënin copë e grimë, nga mënia a qejfi,/dhe kuajt me bukë i ushqenin, dhe shpatat me mish,-/tre perandorë, që vinin për të mos u larguar,/dhe shkuan,/u thyen si vorbat... (Kënga e nëntë), po edhe përmes dyzimit të diskursit nëpërmjet regjistrit metaforik, ku subjektet, objektet, predikatet dhe adverbët semantikë, po ashtu edhe figurat e diskursit, si në një ’pasqyrë narcisi’ projektohen te dimensionet e veta negative. Një ndër to, figura diskursive libri, me antipredikatet semantike:

... me zemër ngadhënjeje/edhe librin dhunues –kur është edhe libër edhe forcë,/duro dhe mëso – pasi është tashmë forcë edhe libër.../Prej dikah nga ai ka ardhur se atij që/ligjin e ka në topuz, gjurma i kutërbon çnjerëzí...

(Kënga e nëntë)

Me tekstin e cituar më lart, nga “Kurora e maleve” e Njegoshit (“...atij që/ligjin e ka në topuz, gjurma i kutërbon çnjerëzí”) autori implicit, apo thënë më mirë autori abstrakt (Schmid 2010) Subjektin lirik e fut në hapësirën dialogjike intertekstuale, edhe përkundër faktit se kompetenca aktanciale dhe as ajo diskursive këtij subjekti nuk ia “lejon” një gjë të tillë (nga aspekti i dijes së tij të presupozuar, sepse Ali Binaku si subjekt lirik dhe në rolin e tij akterial është i modeluar si një “Orfe/Ante” mitik nëpërmjet kodit folklorik, edenik dhe kronotopit rural, i cili i përcakton koordinatat e “jetës” së tij). Vërtet, i gjithë tekstualiteti i Këngëve... është i përshkuar nga kjo hapësirë dialogjike, si në nivel figurash (polisindeti biblik), stili (invokacioni, Psalmet) e gjer te figurat e teksteve kanonike të kulturës serbe e malaziase (antiteza e trefishtë nga teksti i famshëm epik “Hasanaginica/Gruaja e Hasan Agës) dhe citati i cekur më lart nga teksti pothuaj sakral në semiosferën malazeze e serbe, i cili për gati dy shekuj ka patur dhe ende ka statusin e tekstit qendror në kuadër të kësaj semiosfere, duke determinuar jo vetëm fushën e letërsisë dhe të historisë (si dy diskurse “totalizuese”, siç do t’i quante Greimasi), por posaçërisht fushën e diskursit ideologjik e historik.

Dimensionin etik të tekstit të Zogoviqit e bën të një rëndësie të veçantë si vetë natyra dialogjike e tij në të gjitha nivelet e universit diskursiv të tij (të cilën, shpresoj, ta kemi demonstruar të paktën pjesërisht), identifikimi radikal me Tjetrin (dhe për pasojë rikuperimi edhe kulturor i Tjetrit: ...që knjiga të jetë libër, glava të jetë krye,/ sloboda - të jetë!-liri. (nënv. im. “Kënga e nëntë”), por mbi të gjitha relacioni i këtij diskursi me rrjetin e përgjithshëm diskursiv të kulturës ballkanike - posaçërisht me diskurset politike, historike, religjioze dhe letrare -, në të cilin Tjetri rëndom modelohet si i rrezikshëm, armik, i cili duhet përjashtuar (në rastin më të mirë) dhe asgjësuar (në shumë raste të tjera). Në këtë kontekst, letërsia, fatkeqësisht, shpesh e ka luajtur një rol vendimtar. Ndër përjashtimet më emblematike është natyrisht vepra “Ardhësit - Këngët e Ali Binakut” e Radovan Zogoviqit, të cilin pa mëdyshje do të mund[ ta konsideronim si një model të gjeniut po-ETIK ballkanik. Diskursi letrar i Zogoviqit me etikën e tij jo vetëm që i kundërvihet traditës diskursive njegoshiane dhe etikës së saj tejet problematike në relacion me Tjetrin (për ç’arsye ka mbetur vazhdimisht në periferi të semiosferës serbe e malazeze), por me implikaturat nga fusha negative e destruksionit dhe e urrejtjes e ndërton semantikisht fushën semantike të dashurisë, agapes, ndaj Tjetrit.

Pra, është një diskurs që me etikën e tij thjesht i tejkalon strategjitë diskursive të afirmimit të të përjashtuarve apo të artikulimit simbolik të të shtypurve.

(autori i këtij teksti, Anton Berishaj (1965, Podgoricë), është profesor i letërsisë në Fakultetin Filologjik në Prishtinë. Është autor i disa librave dhe një nga përkthyesit më të shquar nga gjuha serbe në gjuhën shqip dhe anasjelltas. Ky shkrim është shkruar në kuadër të projektit “Tejkalimi i armiqësisë: ndërrimi i perceptimeve serbo-shqiptare”, i përkrahur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe nga projekti PERFORM, që përkrah zhvillimin e shkencave shoqërore në Ballkanin Perëndimor, realizohet nga qendra “Multimedia” nga Prishtina në bashkëpunim me Institutin për Filozofi dhe Teori Shoqërore nga Beogradi)