Kulturë

Dyshja gjermane me lojë mjeshtërore sjell mbrëmje baroku në Prishtinë

Prishtinë, 14 dhjetor - Piccolo-trumbeta moderne ua mundëson instrumentistëve që të luajnë veprat më të vështira të muzikës barokene. Prandaj edhe trumbetisti gjerman Otto Sauter kishte zgjedhur që ta sfidojë veten me këtë instrument, para gati 30 vjetësh. Që nga ajo kohë piccolo-trumbeta është bërë pjesë e pandashme e tij.

Magjinë që sjell me këtë instrument e shpalosi edhe në Prishtinë. Sauter, i cili njihet si një prej piccolo-trumbetistëve më të njohur të kohës, në koncertin e tij solli me vete edhe trombonistin gjerman Peter Körner. Të dy në skenë u përcollën nga kuarteti i harqeve në përbërje të violinistëve Visar Kuçi e Erlinda Gashi, Artianit Shehut në violë dhe Antonio Gashit në violonçel. Me pesë vepra sa kërkuese aq edhe interesante barokene, ata u bënë pjesë e edicionit të dytë të festivalit ndërkombëtar të tunxhit, “Kosova Brass Festival”.

I veshur me të zeza dhe me piccolo-trumbetën në dorë, Sauter fillimisht me prezencën e tij skenike e më pas me lojën plot pasion krijoi atmosferë të bukur në sallën e Bibliotekës Universitare.

Është e rëndësishme që studentët me të cilët kemi punuar këto ditë na dëgjuan sonte. Kjo është shumë interesante dhe e vështirë në të njëjtën kohë”, ka thënë Körner, tek ka treguar për punën që bëjnë bashkë me Sauter. Ndërsa për koncertin ai ka thënë se fakti që ka koncertuar në Kosovë i ka lënë përshtypje të mirë (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.