Kulturë

Ministria hesht, Teatri mbyll dyert në mungesë të ngrohjes

Përderisa Teatri Kombëtar i Kosovës ka hyrë në ditën e pastë pa ngrohje, Ministria e Kulturës ende s’e ka zgjidhur këtë çështje.

Qysh të enjten, kur TKK-ja sherri i borxheve mbeti pa furnizim me naftë dhe anuloi shfaqjen, zyrtarët ministrorë patën thënë se do të reagojnë shpejt. Të hënën TKK-ja ka anuluar jo vetëm shfaqjen “I ligu për mend”, në regji të Altin Bashës e paraparë për në mbrëmje, por ka pezulluar krejt repertorin në një afat të pacaktuar, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ndonëse ende nuk është zyrtarizuar, rrezikohet edhe premiera e radhës e paralajmëruar për në gjysmën e dytë të dhjetorit. Bëhet fjalë për shfaqjen “Njeriu që mungonte”, që do të ishte premiera e katërt për sivjet në skenën kryesore.

Menaxhmenti i TKK-së e ka përsëritur se gjendja është e papranueshme, e zyrtarët e Ministrisë së Kulturës nuk e kanë komentuar këtë çështje. Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës gjatë ditës së hënë kanë mbajtur prova për premierën e radhës në ambient të ftohtë.

Disa prej tyre janë detyruar madje të ushtrojnë edhe me xhaketa, për shkak të temperaturave të ulëta. Për dallim nga repertori i Teatrit, balerinët kanë vendosur që ta përgatisin premierën e radhës më 21 dhjetor. Detyrimet financiare mbi 50 mijë euro që MKRS-ja ka ndaj kompanisë që e furnizon objektin e TKK-së me naftë, kanë bërë që ky institucion të bllokohet... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.