Kulturë

Në Egjipt zbulohen dy varre nga dinastia e 18-të, rreth 3500 vjet të vjetra

Autoritetet e Egjiptit njoftuan për zbulimin e dy varreve të vogla në qytetin e Luxorit, të vjetra rreth 3500 vjet, për të cilat shpresojnë se do të paraqesin një destinacion të ri turistik.

Në një prononcim për mediat, ministri egjiptian për Antikë, Khaled al-Anani, zbulimin e quajti të jashtëzakonshëm, meqë sipas tij, është hera e parë që njeriu modern futet në këtë varrezë.

“Është një ditë e jashtëzakonshme sepse varreza private e dinastisë së 18-të ka qenë e njohur, mirëpo kjo është hera e parë që futemi në brendi të saj”, tha ai, transmeton AA.

Al-Anani sqaroi se njëri nga varret ka oborr të rrethuar me mur nga tullat dhe guri, me një shteg që çon në katër dhoma anësore, ndërkohë që artefaktet e gjetura në brendi janë kryesisht fragmente të arkivoleve nga druri.

Mbishkrimet dhe vizatimet në mure, flasin se i takon periudhës së mbretit Amenhotep II dhe mbretit Thutmose IV, që të dy faraonë të dinastisë së 18-të. Varri tjetër ka pesë hyrje të cilat çojnë në një sallë drejtkëndore, në të cilën ka dy trupa të varrosur.

Në mesin e artefakteve të gjetura ka boçe, maska të vizatuara varrimi, enë balte, rreth 450 statuja dhe një mumie e mbështjellë me pëlhurë liri, me gjasë të jetë një zyrtar i latë i asaj kohe.

Ministria për Antikë thotë se në tavanin e varrezës është i gdhendur emri i mbretit Thutmose I, mbret i hershëm i dinastisë së 18-të.