Kulturë

Artisti disident me barkën e refugjatëve thërret për humanizëm

Pragë,16 mars - Artisti konceptual kinez dhe aktivisti politik, Ai Weiwei, ka realizuar instalacionin më të madh të tij deri më tani - një barkë gjigante refugjatësh të cilën e ka titulluar “The Law of the Journey” (Ligji i udhëtimit). Ky instalacion ka zënë vend në Galerinë Kombëtare të Pragës. Kjo vepër artistike është shpalosur në sallën e madhe të galerisë në pallatin “Veletrzni” ku edhe ka marrë formë instalacioni.

Si shkruan praguemonitor, që sot e transmeton “Koha Ditore”, barka, e cila është 70 metra e gjatë, ka brenda figura të njerëzve realë. Fiks 258 sosh të krijuara me një material të errët po qëndrojnë të varura në sallë, ku është bashkangjitur edhe një top i madh qelqi mbi të cilën vepra e Weiweit do të reflektojë. Ai kishte vizituar rreth 20 vende në mbarë botën ku po qëndronin refugjatët, duke përfshirë ishullin grek Lesbos, një prej shumë pikave përmes së cilës emigrantët mundohen të arrijnë në Evropë nëpërmjet Turqisë.

“Të refuzosh dikë aq dëshpërimisht është pothuajse krim”, ka thënë Ai Weiwei.

“Është amorale, shkurtpamëse dhe nuk i sjell asnjë përfitim asnjërit shtet. Nuk guxojmë të humbim besimin fondamtenal në të drejtën njerëzore dhe dinjtetin human”, ka shtuar ai.

Në një deklaratë të lëshuar nga galeria, thuhet se ky është kulmi i interesimit të artistit mbi krizat globale të refugjatëve. Pas hapjes zyrtare të ekspozitës së Ai Weiweit, më datën 16 të muajit mars, instalacioni mund të vizitohet në pallatin “Veletrzni” deri më 7 janar të vitit 2018.

Artisti ka thënë se për këtë vepër është inspiruar nga eksperienca që ka përjetuar në ishullin Lesbos ku është gjetur barka gjysmë e fundosur. Ai ka dashur që të mbetet aty i vetëm dhe ta ndiejë të njëjtën gjë që e kanë ndier refugjatët. Weiwei ka thënë se e kishte gjetur një shishe të foshnjës dhe një Bibël në atë barkë.

“Nuk ka kriza të refugjatëve, por vetëm kriza humane… Në përballjen me refugjatët ne kemi humbur vlerat tona bazike”, ka thënë Weiwei në Pragë gjatë prezantimit të instalacionit. Artisti kinez aktualisht jeton në Berlin dhe po ashtu e ka një studio të vetën në Pekin.

Kuratorë të kësaj ekspozite në Pragë kanë qenë drejtori i përgjithshëm i galerisë, Jiri Fajt, dhe Adam Budak, kuratori kryesor i koleksionit të galerisë.

“Me barkë gjigante, Ai Weiwei mëton që të konfrontojë shikuesit me një situatë tejet të vështirë me të cilën janë përballur refugjatët. Por gjithashtu ta vërë në pah faktin sesi krizat e emigrantëve po e ndajnë shoqërinë moderne në ‘ne’ dhe ‘ata’”, kanë shkruar kuratorët.

Në vitin 2016, Ai Weiwei e prezantoi skulpturën e tij jashtë Galerisë Kombëtare në pallatin “Veletrzni”. Këtë vit, instalacioni, barka gjigante e refugjatëve, e krijuar ekskluzivisht për këtë galeri, po ashtu do të përcillet me vepra të tjera artistike. Njëra prej tyre, e quajtur “Laundarmot”, do ta ketë premierën evropiane në kryeqytetin çek. Ajo zë tërë dhomën, muret e së cilës do të mbushen me rreth 20 mijë fotografi të bëra në kampin e refugjatëve në Idomeni në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë. Rrobat e varura nëpër dhomë janë mbetje që refugjatët i kanë lënë në kamp. Një gjarpër i madh po ashtu do të jetë i varur në tavan. Vizitorët do ta shohin atë menjëherë pasi që hyjnë në pallat. Trupi i tij lidhet me çantat e fëmijëve të vegjël, duke iu referuar tërmetit në provincën kineze Sichuan në vitin 2008, ku si pasojë humbën jetën 20 mijë njerëz, përfshirë 5 mijë fëmijë. Krahas llambës gjigante, “Traveling Light”, bashkë me instalacionin e quajtur “With Flowers”, do të jenë aty edhe vepra që artisti i krijoi sa ishte në arrest shtëpiak. Kjo ka për qëllim që të përkujtojë nevojën për mbrojtjen e të drejtave dhe lirisë të njeriut. Ai kishte përdorur 14 mijë jelekë të mbledhur nga plazhet e Lesbos për të mbuluar kolonat e “Konzerthaus” në Berlin dhe për të krijuar më pas një zambak uji që lulëzojnë në pellgun e parkut Belvedere të Vjenës. Artisti po ashtu kishte pozuar si Alan Kurdi, djaloshi sirian trupi i pajetë i të cilit ishte fotografuar duke qëndruar në plazhin e Lesbos. Ai ishte kritikuar për shfrytëzimin e vdekjes tragjike të fëmijës, për artin e tij. Më shumë se 1,2 milionë njerëz kanë kaluar Mesdheun për të arritur në Evropë që nga viti 2015, informacion të cilin e ka dhënë Organizata Ndërkombëtare e Migrimit. Sipas Komisionit Evropian, Republika Çeke deri më tani ka pranuar 12 emigrant për zhvendosje.