Kulturë

“489 vjet” për zonën që vetëm mund të imagjinohet

Descriptive Text

Prishtinë, 17 mars - Hapësira kufitare midis dy Koreve - asaj të Jugut dhe të Veriut - mund të jetë një prej hapësirave më unike në botë që ndan dy shtete. Dy kilometra nga njëra anë dhe dy nga ana tjetër, tash e më shumë se gjysmë shekulli mbesin të paprekura. Dy Koretë kontrollojnë vijën kufitare duke u ndarë në distancë prej katër kilometrash.

Në zonën që praktikisht është neutrale dhe quhet “Zona e demilitarizuar” prej luftës së viteve ’50 nuk ka shkelur këmba e njeriut. Është nën regjimin natyror. Mënyra sesi e ka “qeverisur” natyra këtë pjesë vetëm mund të imagjinohet. Pikërisht imagjinatën e ka përdorur artistja koreane Hayoun Kwan për ta realizuar një video, në të cilën kjo hapësirë paraqitet nëpërmjet një realiteti virtual. E titulluar “489 vjet”, video që tashmë është pjesë e Muzeut të Artit Modern të Parisit ofron një shëtitje disa minutash nëpër atë që mund të konsiderohet hapësira e askujt. Sipas një studimi të bërë më 2010, duhen pikërisht 489 vjet për ta çminuar këtë hapësirë nga minat e vendosura gjatë luftës.

Kuratorja Jessica Castex ka thënë se Kwan është një artiste e re, por vepra e saj është e kërkuar në shumë vende, dhe së fundmi edhe në New York.

Në kuadër të “Javës së frankofonisë”, që do të zgjasë deri në fund të muajit, sot (e premte) në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të shfaqet një video tjetër me vepra të artit që ndodhen në Muzeun e Artit Modern në Paris. E në kuadër të edicionit të tetë të “Javës...” koncerte, ekspozita e konferenca të ndryshme do të mbahen në Prishtinë (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.