Kulturë

Artan Krasniqi i Kohës Ditore merr çmimin e parë për promovimin e Kosovës

Muzeu Kombëtar i Kosovës ka qenë ambienti të cilin Ministria e Punëve të Jashtme e ka përzgjedhur që të ndajë çmimet vjetore për shkrimet dhe fotografitë që promovojnë Kosovën, për vitin 2017.

Gazetari i “Kohës Ditore”, Artan Krasniqi - me “Stacioni ku përplasen kohët”, rrëfimin për Stacionin e Trenit në Prishtinë, që përthekon edhe histori të vuajtjeve e eksodit - ka marrë Çmimin e parë për shkrimin më të mirë të vitit 2017. Këtë çmim atij ia ka ndarë përfaqësuesi i Ambasadës amerikane në Prishtinë, Richard Mei.

Krasniqi ka thënë se vetëm e ka bërë me përkushtimin më të madh punën që “Koha Ditore” dhe ai ia kanë vënë vetes, që të paraqesin anën e mirë të Kosovës me artikujt për rubrikën “Monument”, çdo të diel në gazetë.

“Artikujt e përjavshëm, e më pas edhe monografitë ‘Monument’ të Botimeve KOHA, që përmbledhin shkrimet në vëllime të caktuara sipas rajoneve dhe periudhave historike, janë thirrje e vazhdueshme për ta njohur dhe për ta dashur më shumë Kosovën. Shpërblimet që vijnë rrugës, qoftë si ky prej shtetit, qoftë ato në formën e falënderimeve nga njerëzit e zakonshëm, i japin një kuptim shtesë kësaj pune”, ka thënë Krasniqi, teksa ka shtuar se e gjithë puna do të ishte e pamundur të bëhej pa përkrahjen e vazhdueshme të ekipit të “Kohës Ditore”, që merret me artikujt e monumenteve që nga shtatori i viti 2013, si dhe pa rrëfimet e sinqerta të qytetarëve që shkëpusin kujtimet e tyre dhe lidhjet që kanë krijuar ndër vite me objektet e trashëgimisë kulturore të vendit.

Vendin e dytë e mori gazetari Uran Haxha, për artikullin e tij “Gëzuar në Rahovec”, po ashtu i botuar në “Kohën Ditore”. Shkrimi rrëfen për traditën e rakisë dhe verës në këtë pjesë të Kosovës.

“Dua ta falënderoj KOHËN, Rahovecin që gjithmonë më pret mirë dhe personazhet e artikullit. Bëni gëzuar për Vit të Ri me raki e verë nga Rahoveci”, ka shkruar Haxha në profilin e tij në “Facebook”.

Çmimin e tretë e kanë marrë Labinot Konushevci me “Intervistë me Ibrahim Berishën” dhe Azra Deshiq me shkrimin “Ilir Tafa, aktori që po i rikthen namin Kosovës”.

Krahas çmimeve për tekstet janë ndarë edhe ato për fotografinë më të mirë. Çmimin e parë për fotografinë më të mirë e kanë ndarë Agon Nimani dhe Armend Nimani. I pari ka fotografuar të atin e tij, Shyqyri Nimani, derisa ai ishte duke shkruar në pergamenë Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, ndërsa i dyti ka fotografuar Rita Orën dhe Shkëlzen Dolin në koncertin që kishin mbajtur në Vatikan me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës, në shtator të 2016-s.

Edhe vendi i dytë është ndarë në dy fotografë, e i ka takuar sërish Armend Nimanit dhe fotografit tjetër Bleron Caka. Ndërsa çmimin e tretë për fotografinë më të mirë e ka marrë Ardit Qeriqi.

Janë ndarë edhe 18 çmimeve të tjera për fotografi në mesin e rreth 600 sa kanë konkurruar. Ekspozita me fotografitë fituese në katin e dytë të Muzeut, i ka paraprirë ceremonisë.

Juria profesionale për ndarjen e shpërblimeve ka qenë e përbërë nga Eliza Hoxha, arkitekte, fotografe e profesoreshë universiteti, Gianluca Serrago, fotograf profesionist italian, Sylejman Kllokoqi, profesor e fotograf profesionist, Adriatik Kelmendi, gazetar e autor, dhe Rrahman Paçarizi, profesor universiteti.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ka folur zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. Ai me këtë rast ka thënë se shumë vende të botës nuk i kanë bukuritë sikurse i ka Kosova, por pranoi se ka probleme për tregime dhe fotografi që janë reale për vendin e, siç tha ai, “kemi problem me imazhin e Kosovës”.

“Në frymën e kësaj filozofie ne nisëm në mënyrë modeste një punë, e cila do të bëhet e madhe. Ne kemi për qëllim të tregojmë të vërtetën për Kosovën, kemi për qëllim të tregojmë imazhin e vërtetë për Kosovën dhe në këtë drejtim kemi për synim të krijojmë një imazh, që ne e duam dhe qytetari i Kosovës e do”, ka thënë Pacolli.

Ai tha se janë të bindur se me këtë projekt do t’i tregojnë krejt botës se Kosova është ndryshe, nga ajo që është spekuluar dhe paragjykuar për Kosovën. Me këtë rast është lansuar edhe uebsajti i ri “Kosovaabc.com”.