Kulturë

Muzeu i Malishevës mbetet pa kulm, rrezikohen 10 mijë libra

Prishtinë, 1 dhjetor - Rreth 10 mijë ekzemplarë librash që posedon fondi i Bibliotekës së qytetit në Malishevë rrezikohen nga reshjet atmosferike. Kjo pasi Muzeu i qytetit “Jahir Mazreku” ku zë vend edhe institucioni bibliotekar, të enjten paradite, ka mbetur pa kulm. Ai nuk u ka rezistuar erërave të forta.

Autoritetet komunale kanë njoftuar se dëmet janë të konsiderueshme, por ende nuk ka një llogaritje financiare për këtë. I gjithë kulmi prej lastrash ka rënë në trotuarin poshtë objektit, por qytetarët nuk kanë pësuar. Pasditen e së enjtes punonjësit e angazhuar nga Komuna e Malishevës e kanë bërë një izolim me najlon të zi që do të shërbejë si kulm emergjent për objektin trekatësh, shkruan sot Koha Ditore.

Tash për tash kjo është masa e vetme nëpërmjet së cilës sigurohet fondi i Bibliotekës, e cila vepron në katin e tretë përderisa në dy katet e parë zë vend institucioni muzeor. Aty ruhen disa prej artefakteve të gjetura në fshatrat e kësaj komune. Ngjitur me këtë objekt është Sahatkulla e qytetit.

Sipas zyrtarëve komunalë, Muzeu nuk rrezikohet për dallim nga Biblioteka e qytetit, tash për tash ka kulm të improvizuar me najlon (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

{gallery}