Kulturë

“Nga varësia në transformim” për dallimet mes botës reale e virtuale

Prizren, 16 mars – Tetë fotografi të shtypura në format të madh janë ekspozuar në Sheshin e Lidhjes në Prizren. Qëllimi i këtyre imazheve është tërheqja e vëmendjes së kalimtarëve në këtë hapësirë publike, që ndodhet në qendër të qytetit të vjetër. Ato trajtojnë përdorimin e shtuar të internetit dhe përhapjes së rrjeteve të shumta sociale. Por edhe shtrojnë dilema të caktuara rreth së kaluarës. Ekspozita e titulluar ''Nga varësia në transformim” është realizuar nga fotografi dhe regjisori prizrenas Baris Karamuço.

Sipas një përshkrimi, kjo ekspozitë përbëhet nga dy shtresa. Në njërën shtresë trajtohen ndikimet e fenomeneve bashkëkohore të internetit dhe rrjeteve sociale. Ndërsa në shtresën e dytë duke e marrë për bazë një këndvështrim satirik, qëllimi i ekspozitës është që të shtrojë pyetjen se si do të ishte njerëzimi sot sikur interneti dhe rrjetet sociale të kishin qenë kaq të përhapura edhe në kohërat e vjetra.

Sipas tij, fjala në këtë rast është për dy botë, të cilat bien ndesh njëra me tjetrën.

“Bota reale dhe ajo virtuale. Çdo ditë e më shumë këto dy botë kanë dallime drastike nga njëra-tjetra dhe njerëzit përballen me vështirësi që ta bëjnë dallimin se cila është e rrejshme, e cila reale”, ka thënë artisti prizrenas.

“Fotografitë janë shtypur në format të madh me qëllim, ashtu që të tërheqin vëmendjen e vizitorëve dhe të zgjojnë kërshërinë e tyre për të menduar për dallimet ndërmjet këtyre dy botëve”, është shprehur Karamuço. Ekspozita do të qëndroj e hapur në Sheshin e Lidhjes në Prizren deri më 19 mars (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Tash gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.