Kulturë

Nesër jepet premiera e “Jam Burr’!?”

Nesër (e hënë, 27 nëntor) në Teatrin Kombëtar të Kosovës, nga ora 20:00, do të jepet premiera e danc-performanceës “Jam Burr’!?’, e koreografes gjermane Katharina Maschenka Horn.

Performues janë: Robert Nuha (Kosovë), Nemanja Mutić (Bosne-Herzegovinë), Jan Novosel (Kroaci) dhe Katharina Maschenka Horn (Gjermani). Shfaqjen e ka prodhuar Qendra Multimedia e Prishtinës

Si është të jesh burrë në Ballkan? Katharina Maschenka Horn dhe performuesit merren me realitetin dhe cliché-të e të qenurit “burrë i vërtetë”, ose “tamam burrë”.

Një kosovar, një bosnjë-hercegovinas dhe një kroat bëhen bashkë në skenë. Edhe pse kanë nacionalitetet të ndryshme, ata janë bërë bashkë për të shqyrtuar e diskutuar nëse është vërtetë e nevojshme për një burrë që ta “bindë” veten për dhunë e agresivitet, apo burrat munden të shihen edhe si viktima të shoqërisë.

Përpos në Prishtinë, shfaqja me 29 nëntor do të jepet në Ferizaj, me 30 nëntor në Pejë, kurse me 2 dhjetor në Shkup. Shfaqja është realizuar me mbështetjen financiare nga Goethe Institute dhe USAID Property Rights Program. Partnerë janë: Ambasada Gjermane në Kosovë, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri “Adriana” - Ferizaj, Teatri “Istref Begolli” - Pejë, Kino Kultura, Shkup, Qendra Kosovare për Studime Gjinore.