Recitali i Artemida Qarri-Haxhiaj do t’i paraprijë DAM Festit

Recitali i Artemida Qarri-Haxhiaj do t’i paraprijë DAM Festit

15 March 2017 21:27

Koncerti recital i pianistes kosovare Artemida Qarri-Haxhiaj do t’i paraprijë edicionit të 12-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës DAM, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Haxhiaj do të interpretojë vepra nga Scarlatti, Schumann, Rachmaninoff dhe Ibrahimi në koncertin i cili do të mbahet në Sallën e Shkollës së Muzikës ‘Prenk Jakova’ në Gjakovë”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Njëherësh ky do të jetë edhe fillimi i një turneu që Artemida do të mbajë në disa qytete të Kosovës. Dy recitale të tjera do mbahen në Prishtinë në kuadër të datave zyrtare të festivalit dhe një tjetër në Prizren.

Gjithashtu thuhet se Artemida dallohet si pianiste solistike me një karakter virtuoz. Pjesëmarrëse e rregullt në festivalet e muzikës klasike në vend. Ka pasur bashkëpunime edhe me Korin e Filharmonisë së Kosovës në drejtim të dirigjentit Rafet Rudi. Prej vitesh dhe aktualisht është profesoreshë e rregullt në shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova” të kryeqytetit si dhe bashkëpunëtore në Fakultetin e Arteve – Dega e Artit Muzikor në Prishtinë.

Festivali DAM do të hapet më 31 mars në Prishtinë me interpretimin e operës instrumentale "Errësira" nga kompozitorja luksemburgase me origjinë bullgare Albena Petrovich - Vratchanska.

Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme