Kulturë

Në “Monet” u hap ekspozita personale e Rron Qenës

Rrëfimi shtjellohet brenda një qyteti të mjegullt. Ndërtesat, objektet, njerëzit janë venitur nën gjendjen e jashtëzakonshme. E sado që ideja e autorit ka qenë t’i bëjë të mjegullta këto imazhe, paradoksalisht ato bien në sy për formën unike të prezantimit.

Brenda një periudhe njëvjeçare, piktori Rron Qena, i ka dhënë formë një cikli veprash. Rezultati është titulluar “Fading” (Venitje) dhe suksesi u testua për të parën herë të martën mbrëma, shkruan sot “Koha Ditore”. Brenda galerisë “Monet”, në kryeqytet, ai e solli reflektimin e tij mbi Prishtinën e ngulfatur nga ndotja e ajrit.

“Është një reflektim i shoqërisë, jetës sonë në Prishtinë, me këtë mjegull”, e shpjegon më së miri vetë Qena. Këngët e paharrueshme të Muharrem Qenës dëgjohen në sfond derisa vizitorët e galerisë, që ndodhet në qendër të kryeqytetit, lëvizin brenda hapësirës për t’u ndalur para pikturave të dimensioneve të ndryshme.

Në një ceremoni hapëse të ekspozitës thuajse joformale, artisti Mehmet Behluli i është drejtuar audiencës për t’iu rrëfyer se Rron Qenën e ka për zemër dhe se ai i takon një gjenerate të artë të artistëve të Kosovës.

“Janë të rinj në moshë, por kanë eksperiencë të madhe në krijimtari”, ka thënë Behluli për gjeneratën e Qenës, duke përmendur artistë si Driton Hajredini, Lulzim Zeqiri, Jakup Ferri, Vigan Nimani e Dren Maliqi.

Ekspozitën “Venitje” e ka quajtur moment të ri në krijimtarinë e Qenës.

Artistja Blerta Surroi, themeluese e “Monet”, ka thënë se Rron Qena është një prej piktorëve të rinj shumë të mirë dhe galeria e ka pasur kënaqësinë që ai ka shprehur dëshirë t’i ekspozojë punimet e veta në këtë hapësirë.

Image

“Për dallim prej ciklit të kaluar që ka qenë pak më kaotik, me ngjyra më të ndezura, këtë cikël e shoh më të qetë. Ndoshta edhe personalisht vetë Rroni si individ, piktor po rrezaton qetësinë e pjekurinë e vet”, ka vlerësuar, ndër të tjera, Surroi.

Qetësia e një qyteti, shoqërie, njerëzve të kapërthyer nga mjegulla dallohet me të hyrë në “Monet”. E për dy javë sa do të qëndrojë e hapur ekspozita, ajo nuk do të venitet... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.