Kulturë

Sonte në GAK hapet ekspozita e Halil Muhaxherit

Ekspozita retrospektive “...në shqetësime dhe heshtje...” e Halil Muhaxherit vjen në Galerinë Kombëtare të Kosovës, të hënën, më 20 nëntor 2017, në orën 19:00.

Halil Muhaxheri i takon brezit të mesëm të krijuesve kosovarë të cilët kontribuan në begatimin e këndvështrimeve të reja tematike e shprehimore, transmeton Koha.net.

Në vitin 1971, pas studimeve post-diplomike Halili doli para publikut beogradas me ekspozitën personale në Galerinë e Arteve të Universitetit të Kollarcit, me dhjetëra vepra të ciklit “Jeta dinamike”. Ai imagjinoi dhe fantazoi me plot kreativitet imazhet e jetës dinamike të njeriut të shekullit XX. Atëherë Halili u prit shumë mire nga publiku beogradas dhe nga kritikët e Beogradit.

Halil Muhaxheri nuk i takon atyre artistëve që synojnë ta trasojnë rrugën dhe pastaj të ecin të sigurt nëpër të.

Ai vazhdoi me zgjidhjet dinamike tejet ekspresive dhe në hap me kohën, nga figurativizmi ekspresiv, tek enformeli e pejsazhi asociativ deri tek zgjedhjet avangarde. Është një rrugë që ka pikat e dallimit, ku shenjat, simbolet, kompozicioni dhe hapësira paraqesin një kronologji të veprimtarisë së Muhaxherit.

Veprat e artistit janë mjaft të pasura me simbole mistike, si dhe ato të jetës reale.

Veprat pikturale të Halilit dëshmuan dhe ekspozuan një shpirt të fuqishëm të një piktori i cili kishte duar të arta dhe sublimoi figuracionin, ngjyrën, tonalitetin kështu duke i bërë të përjetshme veprat dhe prezencën e tij intelektuale.” – Esat Valla, kurator