Kulturë

Me ndarje çmimesh mbyllet Panairi i Librit në Tiranë

Descriptive Text

Me numër më të vogël aktivitetesh, fluks të ngjashëm vizitorësh me atë të vitit të kaluar si dhe me ndarjen e çmimeve për autorë e shtëpi botuese, ka mbyllur edicionin jubilar Panairi i Librit në Tiranë.

Aktiviteti që nisi më 15 të këtij muaji në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së çmimeve të shtunën, derisa shitja e librave ka vazhduar edhe gjatë ditës së diel, shkruan sot “Koha Ditore”.

Romani “Yjet janë fare pranë” i shkrimtarit Betim Muço, i cili kishte vdekur para dy vjetësh, botuar nga “OMSCA-1”, ka fituar çmimin kryesor në edicionin e 20-të të Panairit të Librit “Tirana 2017”. Juria e këtij viti ka qenë e kryesuar nga Shpëtim Çuçka, përkthyes, shkrimtarja Flutura Açka, poetja e pedagogia Belfjore Qose dhe gazetarja Anisa Ymeri.

“Për trajtimin me thellësi idesh dhe elegancë artistike e gjuhësore të temës së emigracionit në kontekst kombëtar e ndërkombëtar” ishte arsyetimi i jurisë për çmimin, autori i vitit 2017.
Sipas Çuçkës, për ta ndarë çmimin për krijimtarinë letrare më të mirë, është marrë parasysh kriteri i tematikës, që siç ka thënë ai, në rastin e letërsisë shqipe, duhet të jetë sa më i gjerë. Po ashtu, është marrë parasysh gjuha letrare që ka përdorur autori.

Shkrimtarja Flutura Açka, e ka shpallur çmimin për Muçon, që iu nda për romanin e botuar pas vdekjes së tij, e që nuk kishte arritur as ta finalizonte sa ishte gjallë. “Është një lloj shlyerje e një pengu”, ka thënë Açka.

Çmimi për letërsi studimore iu nda Agron Aliballit për veprën “Faik Konica”, derisa fituese në fushën e përkthimit u shpall Diana Çuli për përkthimin e veprës “Lumturia e pritjes” së Carmina V. Fitues i letërsisë origjinale për fëmijë u shpall Persida Asllani për veprën “Unë jam Musine Kokalari” – një libër ky që do t’u mësojë lexuesve të vegjël për një grua të rrallë si Musine Kokalari, e cila këtë vit e pati 100-vjetorin e lindjes.

Aliballi, tek ka pranuar çmimin për veprën më të mirë studimore, ka folur edhe për miqësinë që ka pasur me shkrimtarin e ndjerë Betim Muço.

“Kemi luajtur me orë të tëra shah dhe dolëm barazim. E lamë të luanim sërish, por ai humbi, duke u ndarë nga jeta, por bëri më të pabesueshmen, duke barazuar, duke dalë Remi me këtë çmim”, ka thënë Aliballi.

Me rastin e edicionit jubilar, organizatorët e Panairit të Librit në Tiranë kanë ndarë edhe çmime për shtëpitë botuese që kanë dhënë kontribut të veçantë për përçimin e librit deri tek lexuesi: shtëpisë botuese “Onufri” që sivjet shënon 25-vjetorin dhe “Pika pa sipërfaqe”, një shtëpi e re botuese e cila ka sjellë tituj e autorë të njohur në panair.

Panairi i Librit “Tirana 2017”, është vizituar edhe nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ka kërkuar që në prag të mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë e Kosovës, të hiqet automatikisht çdo pengesë për qarkullimin e librave mes të dyja vendeve.

Edicioni i sivjetmë i Panairit të Librit në Tiranë u hap me afishet që bënin thirrje për zbritjen e tatimit mbi librin dhe honorarët e shkrimtarëve. “Tatim mbi librin nga 20 për qind në 5 për qind, për të gjithë, pa përjashtim” e “Tatimi mbi honorarët nga 15 në 5 për qind”, ishte afishuar në muret e Pallatit të Kongreseve.

Fiks 97 shtëpi botuese nga vendi e nga rajoni, që nga data 15 e deri më 19 kishin zënë hapësirat e tyre në edicionin e 20-të të Panairit të Librit në kryeqytetin shqiptar. Kosova e ka vazhduar traditën e prezantimit me rreth 15 shtëpi botuese, disa prej të cilave kanë ngritur shtandet e veta e një pjesë botimet i kanë radhitur në shtandin e Shoqatës së Botuesve të Kosovës... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.