Kulturë

Gashi përuron shtëpitë që u restauruan në Prizren

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi ka përuruar sot në Prizren disa shtëpi të vjetra që janë restauruara, dhe janë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

Këto shtëpi janë restauruar pasi që arkitektura e tyre ishte rrezikuar të prishet për shkak të vjetërsisë.

Gashi tha se do të mundohen që të gjitha shtëpitë e vjetra të restaurohen në mënyrë që të kenë një trashëgimi të pasur kulturore, e të cilat do të shërbejnë për zhvillim ekonomik dhe turizëm.

Ai shpjegoi se realizimi i masave për ndërhyrje dhe riparime emergjente në ndërtesa - monumente arkitekturale të rrezikuara, financohet nga Ministria e Kulturës dhe se ky do mbetet përkushtimi i tij si ministër që edhe gjatë vitit 2018 të vazhdohet me punët restauruese-konservuese jo vetëm për Qendrën Historike të Prizrenit por edhe për të gjitha asetet e trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Gjatë vizitës në shtëpinë e familjes Pomaku, ai u shpreh i lumtur që falë përkushtimit të institucioneve shtetërore, përkatësisht QRTKP-së , gjendja e aseteve të trashëgimisë kulturore po ndryshon për të mirë. Ndërsa tha se për vitin 2018 , kanë ndarë 2 milionë euro për rivitalizimin e Qendrës së Prizrenit, raporton KP.

“Në të njëjtën kohë jemi këtu për t’u zotuar se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të ketë një prioritet të veçantë, ashtu siç e kam thënë, trashëgiminë kulturore, me theks të veçantë në qytetin e Prizrenit. Ne për vitin e ardhshëm kemi ndarë rreth 2 milionë euro për rivitalizimin e qendrës së Prizrenit dhe kemi disa projekte konkrete me të cilat do të intervenojmë në këtë qendër historike. Po ashtu do të mundohemi që të gjitha këto shtëpi të vjetra t’i restaurojmë në mënyrë që të kemi një trashëgimi të pasur dhe të gjitha këto t’i kthejmë edhe për zhvillim ekonomik dhe turizëm”, tha ai.

Familjarët e familjes Pomaku, u shprehën të kënaqur me mbështetjen e treguar nga ana e institucioneve shtetërore duke potencuar faktin se edhe ata do mbesin të përkushtuar si qytetarë në ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore që ka qyteti i Prizrenit.

E ushtruesi i detyrës në Qendrën Kulturore të Prizrenit, Jusuf Xhibo, tha se shtëpia në të cilën është intervenuar sot, në bazë të stilit të ndërtimit të saj, mund të jetë e shekullin XVIII, ndërsa theksoi se duhet bërë hulumtime për të përcaktuar saktë periudha prej kur datojnë shtëpitë e vjetra në Prizren.

Ai tha se intervenimet emergjente, kanë të bëjnë me karakter shpëtimi, ndërsa në të ardhmen do të intervenojnë edhe në pjesët e tjera të shtëpisë që kanë nevojë për renovim.

“Bëhet fjalë për intervenime emergjente, që kanë të bëjnë me karakter shpëtimi dhe jo restaurimi në kuptimin e plotë të fjalës. Kjo shtëpi ka përfituar prej këtyre masave emergjente ku kemi bërë ndërrimin e pjesshëm të kulmit dhe elementeve që kanë qenë të dëmtuara. Derisa shpresojmë që viteve tjera, pasi të kryhet kjo fazë të ndërhyjmë edhe në pjesët tjera të shtëpisë pasi ka nevojë për intervenim”, theksoi ai.

Zana Mustafa tha se shtëpia është shumë e vlefshme për trashëgiminë kulturore, ndërsa shprehi mirënjohje për renovimin e kulmit, për të cilin tha se ishte amortizuar shumë.

Në Prizren Gashi ka përuruar edhe disa projekte restauruese-konservuese të realizuara gjatë këtij viti si shtëpinë e familjes Alili, restaurimin e dy trafostacioneve të vjetra, Xhaminë e Myderiz Ali Efendisë si dhe shtëpinë e familjes Zhoriq.

Gashi po ashtu ka inspektuar edhe punët restauruese-konservuese në kompleksin e familjes Drini, në Hamamin e Gaz Mehmet Pashës në Prizren, si dhe atë të familjes Morina.