Kulturë

Ekspozohet për herë të parë thesari i arit të faraonit Tutankhamun

Kajro, 16 nëntor – Në Kajro për herë të parë është ekspozuar koleksioni i arit i faraonit Tutankhamun, i cili sundoi në Egjipt gjatë viteve 1334-1325 para erës sonë.

Në hapjen e kësaj ekspozite, siç transmeton AA, morën pjesë ministri i Antikiteteve Historike të Egjiptit, Halid el-Anani, zyrtarë egjiptianë, turistë dhe disa diplomatë të huaj.

Anani në një deklaratë për mediat tha se artikujt në koleksion janë bashkuar pas një angazhimi të madh të ekspertëve egjiptianë dhe gjermanë, i cili filloi në vitin 2014 dhe zgjati tre vite.

Ai bëri të ditur se koleksioni u zbulua në vitin 1922. Anani tha se thesari i gjetur përbëhet nga 1.000 pjesë të vogla të arit. Ministri egjiptian tha se me bashkimin e këtyre pjesëve nga ekspertët, janë formuar 85 objekte të ndryshme dhe se 55 prej tyre kanë filluar të ekspozohen në muze.

Ekspozita e quajtur “Thesari i cili nuk është parë më parë i Tutankhamun"-it, e cila përbëhet nga armët, mburojat, rrotat të cilat përdoreshin në luftë dhe gjëra të tjera personale të përdorur nga Tutankhamuni, do të jetë e hapur për 45 ditë.

Muzeu i Egjiptit ishte hapur në vitin 1902, në periudhën e Hidiv II Abbas Hilmi. Veprat në këtë muze do të transferohen në Muezun e Madh, i cili po ndërtohet në afërsi të Piramidës së Gizës dhe pritet të hapet në vitin 2018.