Kulturë

Konica ishte diplomat pragmatik, i ftohtë e arrogant

Prishtinë, 9 nëntor - Faik Konica si shkrimtar e publicist tashmë ka marrë vendin e merituar në letërsi dhe në publicistikën kombëtare. Por figura e tij në lëvizjen kombëtare shqiptare vazhdon të mbetet kontradiktore. Pikërisht për këtë pjesë, autori Agron Alibali sjell detaje me librin e tij “Faik Konica - dritëhijet e një diplomati”. Duke u mbështetur në dokumente të panjohura deri më tani që Alibali i ka gjetur në arkivin e Legatës Shqiptare në ShBA, ai mëton që të paraqesë një anë tjetër të Konicës.

Në këtë formë sjell botëkuptimet shtetformuese dhe kushtetuese të Konicës, ku krahas vlerave të tij si shkrimtar dalin në pah edhe mangësitë e tij. Në librin 640-faqesh, siç ka thënë Alibali, nuk e ka pasur për qëllim të vijë në një përfundim mbi personalitetin e Konicës, por më shumë të përcjellë për herë të parë dokumente dhe fakte se si Konica qysh në vitin 1911 prezantohej si përfaqësues në ShBA i Lëvizjes kryengritëse të shqiptarëve të Kosovës, për veprimtarinë e tij atdhetare dhe qasjen që kishte ndaj shtetformimit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Pas promovimit në fillim të vitit në Shqipëri, të mërkurën erdhi edhe në Prishtinë, në amfiteatrin e bibliotekës kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.

Me këtë rast, profesori e publicisti Rrahman Paçarizi bashkë me studiuesin shqiptaro-britanik Bejtullah Destani dhe vetë autorin, shpalosën detajet e librit voluminoz.

Duke marrë për bazë punën hulumtuese që ka bërë autori për të sjellë këtë libër, Paçarizi librin “Faik Konica - dritëhijet e një diplomati” e konsideroi si dokumentar gjigant.

“Agron Alibali arrin të na e shpalosë një figurë prej gjeniu, i cili nuk bën kompromise me këndvështrimin e tij për letërsinë, për shoqërinë, për politikën dhe për botën përgjithësisht, pavarësisht nga fakti se bën lëvizje nga një ekstrem në ekstremin tjetër. Konica na del këtu si njeriu që ecën teheve, një jetë në teh siç do të shoshte Steven Tyler. Këtu Konica nuk bënte kompromise, ai i kishte pikëpamjet e veta dhe sillej në pajtim me to”, ka thënë Paçarizi. Sipas tij, në botën konvencionale kjo mund të shihet si kontradiktë, mirëpo ai thotë se ecja në teh është në vetvete një sistem funksionimi, të cilin e kishte adoptuar Konica.

“Gjithsesi, ky libër, bashkë me atë të Ilir Ikonomit për jetën e Faik Konicës në Washington janë dokumentarët më të plotë që hedhin dritë mbi Konicën si diplomat, me tërë energjinë dhe zgjuarsinë, por edhe me gjithë butësinë me njerëzit që kishin nevojë për ndihmën e tij nga pozita e diplomatit, dhe me gjithë arrogancën e njeriut që nuk lë pa përdorur pushtetin që ka qenë duke qëndruar me vite të tëra në një hotel të shtrenjtë në Washington dhe duke i shpërfillur gazetarët, që nuk është një marrëdhënie publike e mençur”, ka thënë ai.

Hedhja dritë mbi veprimtarinë e Konicës në Amerikë, që nga studimet e tij, veprimtaria në shoqatën “Vatra” e deri te emërimi i tij ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në libër mbështeten në të dhëna arkivore, në letërkëmbime origjinale, në raporte shërbimesh e korrespodencash diplomatike të besueshme.

“Fakti që arrin të jetë në krye të shërbimit diplomatik shqiptar përgjatë gjithë kohës së sundimit të Ahmet Zogut, si kryeministër e si mbret më pas, dhe korrespodenca e tij me Ahmet Zogun e nxjerrin Konicën një figurë tepër pragmatike dhe aspak rebel, siç e kemi njohur në letërsi, në publicistikë dhe në raportet me rivalët apo në refuzimin për të qenë pjesë e Akademisë Ndërkombëtare Diplomatike të Parisit”, ka thënë Paçarizi. Sipas tij, po kaq pragmatik Konica del edhe në raportet me Austrohungarinë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë kur ai udhëtoi nga Bostoni në Vjenë, por, ai shton se për këtë çështje ende nuk janë publikuar të dhëna të mjaftueshme.

“Gjithsesi, libri i Agron Alibalit nxjerr edhe një anë tjetër fort njerëzore të diplomatit të ftohtë dhe arrogant, shkrimtarit rebel e publicistit pasionant në kontradiktat e tij. Faik Konica, gjatë kohës sa udhëhoqi misionin diplomatik shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk përtoi të merrej edhe me hallet e emigrantëve të shumtë shqiptarë në Amerikë”, ka thënë Paçarizi, tek ka përmendur rastin e një shqiptari të dënuar me vdekje, të cilin Konica e kishte shpëtuar nga ekzekutimi dhe arriti që nga ai të ndërtonte një person i cili për shkak të sjelljeve të mira u lirua nga burgu, mblodhi para me punën e tij dhe u kthye në Shqipëri.

Megjithatë, libri sado që mundohet të balancojë dy anët e Konicës, vë në pah të vërteta që më parë nuk janë thënë. Autori numëron një risi që sjell libri.

“Si risi e veçantë në libër përcillet edhe botëkuptimi shtetformues e kushtetues i Faik Konicës. Kushtetuta është ‘guri mi të cilin mbështetet tërë trupi politik i një kombi të tërë’, shprehej Faik Konica para se të merrte detyrën e diplomatit. Ai mendonte se ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen me Asamble Kushtetuese, dhe se parlamenti duhet të ishte me dy dhoma, ku Senati të ishte një forum ‘me dinjitet të veçantë dhe të nderojë shtetin’”, ka thënë Alibali. Meritë tjetër e librit të Alibalit është se prurjet e Konicës në këto fusha të së drejtës jepen krahas kontributeve thelbësore të Sami Frashërit e Mehmet Konicës.

“Libri trajton rolin e ‘Vatrës’ si ‘qeveri në mërgim’ e më tej, marrëdhëniet komplekse midis dy ‘shokëve të armëve’, Konicës e Nolit, raportet e Konicës me koloninë shqiptare në ShBA etj., ku dalin në pah sidomos edhe ‘dritëhijet’ e tij”, ka thënë Alibali. Ai ka bërë të ditur se në libër shfaqet figura e Konicës si njëfarë përfaqësuesi informal diplomatik i Kosovës në ShBA, roli i tij thelbësor për shqipen juridike e diplomatike. Libri, po ashtu, trajton edhe çështjen e bibliotekës së famshme të Konicës, deri vonë të konsideruar të humbur, si dhe bashkëpunimin e rrallë dhe të jashtëzakonshëm me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë për gjurmimin dhe kthimin e kësaj pasurie të çmuar pranë saj, sikurse e pati lënë amanet vetë Konica.

Bejtullah Destani ka thënë se Alibali ka gjetur 276 libra nga biblioteka e Faik Konicës dhe po ashtu arkiv të plotë të Legatës Shqiptare në Washington.

“Agroni ka bërë një libër të jashtëzakonshëm. Nuk kam parë që një person të merret aq gjatë me një libër dhe ta bëjë në mënyrë aq pedante dhe sekrete, pa njoftuar asnjë person. Një prej punëve të jashtëzakonshme që ka bërë autori është se ka zbuluar dy gjëra të mëdha, siç është zbulimi i një biblioteke të Konicës dhe arkivi i legatës së Washington”, ka thënë Destani për autorin, i cili ka lindur në Tiranë dhe e ndan kohën midis ShBA-së dhe Shqipërisë. Ka studiuar drejtësi në universitetet e Tiranës, Bostonit dhe Harvardit. Ka ndërmarrë studime në fushën e së drejtës ndërkombëtare publike, së drejtës ndërkombëtare të detit, së drejtës kushtetuese, së drejtës zakonore e të mjedisit. Alibali ka qenë studiues me qendrën ndërkombëtare “Woodrow Wilson” të studiuesve në Washington, dhe universitetin “Shën Klementi i Ohrit” në Sofie, ku ka ndërmarrë studime për mosmarrëveshjet e kufijve detarë në Adriatik, Jon, Egje dhe Detin e Zi. Ka punuar në Ministrinë e Drejtësisë në Tiranë, si dhe në institucione të tjera në Shqipëri e SHBA. Libri i tij "Faik Konica - dritëhijet e një diplomati" është nderuar me çmim nga federata panshqiptare “Vatra - The Hearth”.