Kulturë

Kadare: Pacolli ka vënë në shërbim të Kosovës, emrin, autoritetin dhe personalitetin e tij

“Më vjen mirë, që e kam mysafir në shtëpi ministrin e jashtëm të Kosovës, Pacolli, që e kam takuar dhe në Kosovë. Më vjen mirë, që ai ka vënë në dispozicion emrin e vet, suksesin e vet, autoritetin e vet në shërbim të Kosovës”. Kështu ka thënë shkrimtari i shquar shqiptar, i nominuar disa herë për çmimin “Nobel” për letërsi, Ismail Kadare, gjatë një pritje shumë miqësore, që i bëri në shtëpinë e tij në Paris ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, së bashku me bashkëshorten e tij.

I pyetur si e konsideron faktin, që ai ka zgjedhur Francën, si një nga vendet e para për ta vizituar, shkrimtari ka thënë se “e vlerësoj shumë këtë fakt. Pacolli po kontribuon për ta afruar atë me Europën, sepse shqiptarët janë europianë, janë pjesa natyrale e Europës”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Në vazhdim të bashkëbisedimit, ministri i Jashtëm Pacolli e ka falënderuar shkrimtarin Kadare për kontributin e tij të çmuar, në mënyrë të veçantë për Kosovën, transmeton Koha.net.

“Vizitën time zyrtare në Francë e kam filluar në shtëpinë e penës me të ndritur shqiptare, shkrimtarit të madh dhe të njohur e vlerësuar në gjithë botën, Ismail Kadare. E falënderova me gjithë zemër për kontributin e pazëvendësuar, që ai dha, veçanërisht për Kosovën, duke filluar me demonstratat e viteve 80, Rambujenë, me artikujt e shumtë në shtypin francez”, ka thënë Pacolli.

Kadare e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme, që Kryediplomati kosovar ka zgjedhur pikërisht Francën, si njërin nga vendet e para për ta vizituar në kuadër të turneut të tij diplomatik dhe e ka cilësuar pozitivisht ardhjen e tij në krye të diplomacisë kosovare.

Në lidhje me këtë ai, gjithashtu, vlerësoi lidhjet natyrale të Kosovës dhe të kombit shqiptar me Francën.