Kulturë

“Saz'iso” nëpër Angli me magjinë e muzikës shqipe

Descriptive Text

Pas paraqitje javën e kaluar në “Later...With Jools Holland” në “BBC2”, muzikantët nga Jugu i Shqipërisë, të bashkuar në grupin “Saz’iso”, rrugëtimin do ta vazhdojnë të martën (sot) në “National Centre for Early Music” në qytetin verilindor të Anglisë, York, për të performuar arabeskat e tyre të mahnitshme, vallet e gëzueshme dhe vajtimet e zemrës, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e York Press.

Grupi i përbërë nga tetë anëtarë do të promovojë albumin “Al Least Wave Your Handkerchief At me: The Joys And Sorrows Of Southern Albanian Songs”, të lansuar në muajin tetor nga “Glitterbeat Records”.

I bashkëprodhuar nga legjendari Joe Boyd, i njohur për punën që ka bërë me “Pink Floyd”, “Fairport Convenrion”, Nick Drake dhe R.E.M., albumi është incizuar nga inxhinieri, fitues i çmimit “Grammy”, Jerry Boys, i cili ka bashkëpunuar me “Buena Vista Social Club”, Ali Farka Toure dhe “Orchestra Baobab”.

“Saz’iso”, ansambël i cili vjen nga një rajon i izoluar në Jug të Shqipërisë, ofron një prezantim të melodive dhe këngëve të sazeve, një prej muzikave më të pasura të Evropës, por e lënë pas dore, me saze dhe iso-polifoni, që ka statusin e trashëgimisë shpirtërore botërore të mbrojtur nga UNESCO-ja.

Ndërkohë që në repertorin e tyre ekzistojnë gjurmët e idiomave më të njohura të Ballkanit, duke u ndeshur me disponimet e fuqishme të kësaj muzike tokësore dhe gjatë të fshehur, ajo ndihet si një zbulesë, pasi muzika saze është ndër format më pak të regjistruara muzikore dhe mbetet kryesisht e panjohur jashtë Shqipërisë.

Një grup i muzikantëve virtuozë dhe këngëtarësh legjendarë është mbledhur nga Boyd, në tandem me koleget e tija producente Edit Pula dhe miken e saj Andrea Goertler, të dyja të pasionuara pas muzikës tradicionale.

“Për një kohë të gjatë kam qenë i intriguar nga muzika shqiptare”, ka thënë Boyd. “Në vitin 1988 pash një video që u përvodh në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, por incizime të mira ishte e vështirë të gjenden. Kur më në fund shkova atje në vitin 2014, u mahnita nga shteti dhe muzika e tij magjepsëse; plani për të bërë një incizim më mbërtheu”, ka shtuar ai. Kampanja e mbështetur nga miq e të huaj, muzikantë dhe fansa nga e mbarë bota, siguroi që projekti i “Saz’iso” të nisë, duke bashkuar në grup Donika Peçallarin, Adriana Thanoun, Robert Tralon në vokal, më pas Aurel Qirjo në violinë dhe vokal, Telando Feton në klarinetë, Agron Muratin në llautë, Agron Nasin në daulle dhe Pëllumb Metan në flaut dhe vokal.

“Ne vendosëm të incizojmë këta këngëtarë dhe muzikantë virtuozë si një jazz-sesion në ‘Blue Note’ apo kuartet harkor në ‘Deutsche Grammaphon’”, ka thënë Boyd. “Pas krejt kësaj, saze është formë klasike, elementet esenciale të së cilës nuk kanë ndryshuar për dekada. Me rrënjët e veta antike, intensiteti i kësaj muzike të klasit botëror ka fuqinë që ta kënaqë secilin dëgjues”, ka thënë Boyd.

Sesionet e incizimit kanë zënë vend në tri ditët e muajit tetor të vitit 2016 në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi” në Tiranë, ku miqtë e Boyd e kthyen dhomën e shfaqjes së filmave në një studio të ngrohtë e të ndritshme. Gjithçka është bërë live, pa ndërhyrje.

“Incizimi i ‘Saz’iso’ ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme, veçanërisht për faktin se muzikantët ishin aq të emocionuar dhe të gëzuar që ishin pjesë e projektit”, ka thënë Boyz. “Të gjithë janë performues të mrekullueshëm dhe rrallë kemi pasur nevojë që të bëjmë më shumë se dy herë teste për të arritur atë që donim”, ka shtuar ai.

Këngët flasin për gëzimin dhe dhimbjen, dashurinë dhe humbjen, heroizmin dhe tragjedinë. “Tana” është një këngë e vjetër që flet për një bari, tufa e të cilit është vjedhur nga disa banditë, të cilët ia plotësojnë dëshirën që të luajë në flaut për herë të fundit para se ta vrasin. Melodia vajtuese përcjell fatin e tij të tmerrshëm tek më të dashurit e tij poshtë luginës.

Vargu nga kënga e bukur “Penxheren e zotërisë sate” i ka dhënë albumit titullin; një djalë mallëngjehet për fqinjën, teksa e lut: “Hyn e del o ke porta. O unë i mjeri. Ma tund të shkretën mendile”

Këngët e tjera lidhen me storiet e partizanëve që luftojnë kundër pushtuesve të huaj dhe për burrat që detyrohen të nisen në kërkim të punës duke lënë prapa gra dhe familje të pikëlluara, një temë që përsëritet në muzikën shqiptare edhe në ditët e sotme.

Vallet instrumentale kanë rrënjë të thella në historinë e rajonit. “Vallja e Osman Takes” i dedikohet një rebeli të arrestuar, i cili kërcen për lirinë e tij dhe më pas shndërrohet në valltar të mrekullueshëm që konsiston me testin që vetëm ata që janë më të aftit mund ta kalojnë.

Këto këngë dhe shumë të tjera mund të dëgjohen gjatë muajit nëntor, në turneun që e kanë titulluar “Making Tracks” (duke lënë gjurmë).