Kulturë

Eliza Hoxha merr barrën e përfaqësimin të Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venecia

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, zyrtarisht konfirmon pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në edicionin e 16-të të Bienales së Arkitekturës në Venecia 2018.

Komisioner do të jetë vet Ministria, ndërsa për kuratore, është emëruar arkitektja Eliza Hoxha, e cila është aktive edhe në fushën e kulturës, edukimit dhe aktivizmit në Kosovë.

Tema e këtij edicioni është “Hapësirat e lira” (Free spaces) e shpalosur nga kuratoret Yvonne Farrell dhe Shelley McNamara. Ndërkohë pritet të krijohet ekipi dhe ideja tematike që do ta përfaqësojë Pavijonin e Kosovës përbrenda temës kryesore të Bienales.

“Sot Ministri Gashi e priti në takim kuratoren Eliza Hoxha ku u diskutua për procesin e pjesëmarrjes dhe u zotua për përkrahjen institucionale dhe mobilizim të institucioneve relevante që përfshijnë fushën e diplomacisë kulturore”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Sipas po këtij njoftimi, kuratorja Hoxha e falënderoi ministrin Gashi për besimin e dhënë duke theksuar edhe rëndësinë dhe peshën e përfaqësimit të shtetit në këtë ngjarje me rëndësi për shkëmbimet kulturore në fushën e arkitekturës, dhe u zotua që do të punojë me përkushtim në krijimin e ekipit kompetent që mund ta adresojë temën mbi “Hapësirat e lira” nga konteksti kosovar.