Kulturë

Sazan Goliku, studiuesi që e solli në Tiranë letërsinë nga Kosova

(Bisedë e shkrimtarit Riza Braholli me shkrimtarin Sazan Goliku (emri letrar i Pandeli Koçit) në 75-vjetorin e lindjes... )

Sazan Goliku (emri letrar i Pandeli Koçit) ka lindur në Vlorë më 1942. Ka kryer Fakultetin Histori – Filologji në Tiranë dhe ka punuar mësues, punonjës kulture, gazetar, si dhe redaktor letrar në SHB “Naim Frashëri” e gjetkë. Që nga viti 1970 është marrë aktivisht me botimin e letërsisë shqiptare të botuar në Kosovë dhe ka qenë ligjërues i këtij krahu të letërsisë shqiptare në Universitetin e Tiranës.

Nga viti 1981 – 2002 ka punuar si drejtues në sektorin e shtypit të Kuvendit të Republikës. Ka shkruar poezi, prozë dhe letërsi për fëmijë, si dhe tekste këngësh.

Është marrë me kritikë e studime letrare, recensione dhe ese. Ka botuar 15 libra për të rritur dhe rreth 30 libra për fëmijë. Është fitues i disa çmimeve kombëtarë dhe vendorë. Ka qenë kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj nga 2008-2016.

RB: Si t’ju drejtohem, si zoti Pandeli apo si zoti Sazan?

SG: Nuk ka kurrfarë rëndësie, si të dëshironi, jam i njëjti njeri. Për jetën time përgjigjem si Pandeli, për shkrimet e problemet letrare përgjigjem si Sazan.

RB: Çdo të thotë për ju numri 75?

SG: Janë thjesht dy numra. Por kur flitet për moshën 75 vjeç, është koha kur ke nisur të harrosh ose kur harron se je 75 vjeç, ose të është rritur tensioni i gjakut, të dhëmbin gjunjët, të mos punosh dot në kompjutër më tepër se një orë dhe pas orës dhjetë të natës, por qenka dhe mosha për t’u bërë president ose kryeministër. Mua ma ka ënda të them se jam 57 vjeç, pra t’u ndërroj vendin këtyre dy numrave, siç thoshte shpesh me humor poeti Pano Taçi, deri sa arriti moshën 78 vjeç.

RB: Si e vlerësoni ecurinë e letërsisë së sotme artistike shqipe?

SG: Më duhet të them se jam kundër opinionit të ngutur nihilist për letërsinë tonë. Ky rrjedh nga mosnjohja dhe mospasja ende e një hierarkie vlerash reale që do të nxirte në dritë autorët e niveleve më të larta, veprat më të arrira, larg interesave komercialë të botuesve ose reklamave false. Por, për paradoks, letërsia shqipe po lulëzon, përkundër krizës së gjithanshme që po përjetojmë, përkundër qëndrimit shpërfillës dhe injorues të qeveritarëve, të cilët e kanë për detyrë shtetrore nxitjen, përkrahjen e letërsisë e të artit kombëtar, siç bëjnë gjithë shtetet e qytetëruara. Kjo na përplaset hidhshëm në fytyrë, por është reale. Krahas emrave të prozatorëve e poetëve të mirënjohur në trojet shqiptare, po dhe nëpër botë, përmes përkthimeve (sado të pamjaftueshme) kanë nderuar letërsinë e gjuhën shqipe. Sa gëzohemi e krenohemi me famën botërore të Kadaresë, po kaq edhe për çdo autor tjetër që vlerësohet dhe bën realisht emër në botë. Jam kundër çdo opinioni mohues, siç jam edhe kundër çdo ekzaltimi të skajshëm, sepse të dyja këto do t’i quaja ireale dhe të gabuara.

RB:Cili është mendimi juaj për vlerat dhe figurat më të spikatura të letërsisë së sotme shqipe?

SG: Kjo është një pyetje tejet e përgjithshme, e cila kërkon një përgjigje konkrete, që mund ta japë sa më objektivisht vetëm një studim i thelluar dhe një kritikë e specializuar. Unë mund të shpreh pëlqimet e mia e subjektive, të cilat nuk kanë asgjë me interes për lexuesin. Unë nuk mund të përmend emra autorësh vërtet të talentuar, se me siguri ka autorë të tjerë po aq të talentuar.

RB:Cilët shkrimtarë shqiptarë keni më tepër për zemër?

SG: Pa ngurim, rilindasit tanë të mëdhenj nga De Rada, Naimi, Fishta e deri te Mjeda, Noli, Ali Asllani, Esad Mekuli, Mitrush Kuteli, Jakov Xoxa, Anton Pashku... Por në vargmalin e letërsisë shqipe do të dalloja dy maja: Migjenin e Kadarenë.

RB: Si qytetar, si i shikoni zhvillimet aktuale në fushën e politikës dhe të ekonomisë?

SG:Besoj në të ardhmen e demokratizimit të vendit. Por uroj që të mos bëhen ditët tona realitet si në vargjet e rapsodit popullor, Hetit të Shkodrës të shekullit të 19:

Prej kti halli si do delet,

Asht ba poplli fukara.

Kanë vu ujkun me rujt delet

Dersa t’mbes vatha pa gja.

RB:Çfarë mund të përmendni nga krijimtaria juaj si kritik letrar?

SG: Kam botuar recensione, artikuj kritikë e studime që nga viti 1961 në organet e shtypit“Zëri i Rinisë”, “Drita”, “Nëntori”, “Jeta e Re”, “Fjala”, “Rilindja” etj. Mesa më kujtohet kam shkruar e botuar artikuj për librat e parë të shkrimtarëve të mirënjohur si Vath Koreshi, Faik Ballanca, Anton Papleka, Gazmend Kongoli, Teodor Laço... Nuk e di, ndoshta nga guximi i moshës, po në vitin 1965 në revistën “Nëntori” u botua drama “E bardha dhe zeza” e Fadil Paçramit, i cili në atë kohë ishte funksionar i lartë i Partisë. Vlerësimi im ishte negativ. Nuk pranuan ta botojnë as “Drita”, as “Nëntori”, as “Zëri i Rinisë”. Nuk e çova sërish për botim as kur Fadil Paçrami u dënua e u burgos më 1973 si “armik”. Gjithashtu, kam shkruar shkrime polemike dhe kam marrë pjesë aktive në diskutime të ndryshme në Lidhjen e Shkrimtarëve për libra e probleme letrare. Njëkohësisht jam angazhuar me intervista dhe emisione të shumta për letërsinë në radio e televizione.

RB: A keni shkruar për ndonjë autor i nisur nga miqësia ose antipatia vetjake?

SG: Unë mund të mos dëshiroj të kem shoqëri me një autor, ashtu siç mund të sillet dikush tjetër me mua, por nëse ai është i talentuar e shkruan bukur, e vlerësoj dhe e shpreh hapur opinionin tim pozitiv për të. Parapëlqimet, që nuk nisen nga vlerat artistike, po nga paragjykimet ose qëndrimet tendencioze, ose nga shijet vetjake, ose nga interesa jashtëletrare, ose thjesht shoqërore janë të papranueshme dhe të dëmshme në fushën e artit e të shkencës. Duke shkruar për shkencën e letërsisë, Hipolit Teni shprehet: “Ajo konstaton e shtjellon...ajo ka dashamirësi për të gjitha format e artit dhe për të gjitha shkollat, edhe për ato që duken të përkundërta.”

RB: Si e vlerësoni veten, më i mirë si poet apo si prozator?

SG: Thjesht e realisht si autor.

RB:Duke lexuar poezinë tuaj të krijohet përshtypja se ju u interesojnë më tepër idetë e problematikat se emocionet e lindura nga konceptimi artistik...

SG: Unë kam shkruar në një periudhë kohe relativisht të gjatë dhe natyrshëm në krijimtarinë time modeste, si refleks i kushteve të kohës dhe i kërkesave imperative të realizmit socialist, në shkrimet e periudhës para viteve ’90 ka edhe cerebralitet, retorizëm, patetizëm e dobësi të tjera. Nëse ky konstatimi juaj është karakteristikë e përgjithshme e poezisë sime, atëherë janë të diskutueshme vlerat e saj artistike, por, me sa di unë, deri tash në kritikat letrare nuk është vënë në dukje.Gjithsesi jam me thënien e Martin Haidegerit: “Poezia dhe mendimi përkojnë në ‘të njëjtën’ gjë vetëm atëherë kur ato mbahen fortësisht në diferencën e qenies së tyre dhe për aq gjatë sa arrijnë të mbeten aty.”

RB: Deri vitin e kaluar ishit prej tetë vjetësh kryetar i Shoqatës të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj. A do të vazhdoni të jepni ndihmesën tuaj në këtë degë jetike të letërsisë sonë?

SG: Jam përpjekur të jem sa më aktiv në këtë Shoqatë. Kam ngritur problemet e saj sa kam mundur e sa kam ditur. Kemi organizuar veprimtari të ndryshme në bazë të programit të Shoqatës, si diskutime e përurime librash, mbledhje përkujtimore, takime me lexuesit e vegjël kudo, deri në zonat më të thella, emisione në mediat, artikuj në organet e shtypit etj. Uroj që Shoqata ta ngrejë veprimtarinë e saj në një nivel edhe më të lartë.

RB:Redaktori letrar në kohën e diktaturës luante një rol të dyfishtë, edhe si censor edhe si kritik i parë i librit. Cili kishte më përparësi për ju si një nga redaktorët e të vetmes shtëpi botuese për letërsinë artistike?

SG: Përparësi ishte frika se mos të kalonte ndonjë gabim ideor ose me ekuivoke politike, se diheshin pasojat. E pakta pushimi nga puna. Më kujtohet një shprehje e Dhimitër Fullanit, ish-shefit të redaksisë: “Ne punojmë si mbi mina”. Duhet të kthehemi në atë kohë. Ashtu si redaktorët edhe autorët e kishin të gdhëndur në kokë censurën. Duke pasur (ose mospasur) parasysh edhe recensionet për tekstet që vinin për botim, unë jam përpjekur me shumë dashamirësi e përgjegjësi profesionale të mos prekja vlerat e origjinalit, por të shmangia e të pastroja pjesët e paarrira ose të dobëta. Dhe kam gjetur mirëkuptimin e autorëve. Përveç atyre që u ktheheshin dorëshkrimet e librave si të pabotueshme për nivelin e tyre nën mesatar ose për ripunim, autorët e tjerë më kanë vlerësuar pozitivisht. Gjithashtu, kam qenë i kënaqur se kam qenë redaktor i librave të parë të shumë autorëve të rinj të talentuar, të cilët më pas bënë emër në letërsinë tonë. Është e saktë që redaktori e recensuesit janë kritikët e parë, nëse janë vërtet të tillë. Përkushtimi im i vetëdijshëm ka qenë (pasi u lejua zyrtarisht në mënyrë të kufizuar) botimi, për herë të parë në Republikën e Shqipërisë, i letërsisë shqipe në Kosovë. Kam zgjedhur redaktuar shkrimtarët më të shquar të krahut verilindor e lindor të letërsisë shqipe si Esad Mekuli, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Ali Podrimja, Din Mehmeti, Ibrahim Kadriu, Faredin Gunga, Qerim Ujkani, Abdulaziz Islami, Agim Vinca, Edi Shukriu, Flora Brovina, Josip Rela, Ibrahim Rugova, Mehmet Kraja, Jusuf Buxhovi etj.

RB: Kur e keni ndier veten më të shqetësuar ose të rrezikuar?

SG: Ligësia, si e kundërta e mirësisë, njihet historikisht dhe shfaqet për ditë në popuj e vende të ndryshëm nga motive psikike e ideologjike, nga mungesa e edukimit etiko-moral, për përfitime të padrejta materiale, për hakmarrje të rëndomta etj. Edhe unë i kam ndier në kurriz goditjet e hapura e të fshehta të ligësisë, por kur këto kanë kaluar pa shumë pasoja, vetëm i kujtoj me keqardhje. Këtu dua të përmend se kur isha student, në vitin 1965, botova në gazetën “Drita” një kritik letrare për një autor nga Vlora, i cili ‘i fyer në pushkën e tij poetike’ mendoi të hakmerret duke i bërë një letër Enver Hoxhës, ku thuheshin më shumë shpifje se të vërteta për mua. Këtë ma treguan Llazar Siliqi e Ismail Kadareja, të cilët ishin të kënaqur se ajo letër nuk pati efekte. Më 1973 në një mbledhje në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve, ku ishin jo më pak se dyqind vetë, një poet ushtarak më quajti ‘antimarksist’ që kisha ‘teorizime në punën e krijimtarinë time’. Unë shpërtheva duke i bërtitur nga vendi: Shpifës!Gënjeshtar!... Po këtë vit dy autorë erdhën në shtëpinë botuese ‘Naim Frashëri’ dhe më denoncuan te sekretari i partisë, se gjoja kisha shpërndarë në Vlorë librin e një poeti nga Kosova. (Çfarë ‘krimi’!) Në “gjyqin” që u bë në drejtori u vërtetua se kishim të bënim me një mashtrim. Zyrtarë të Komitetit Qendror, nuk e di pse, kapën në librin tim ‘Intimitet’, të porsabotuar, pesë vjersha me motive nga Kosova, prandaj diskutuan ta çonin librin për karton ose të zëvendësoheshin poezitë për Kosovën me poezi të tjera. U vendos të zëvendësoheshin. Në shtëpi i kam të dy variantet e botuara. Nga fundi i viteve ’80, ku punoja në Kuvendin e Republikës si redaktor, një i njohur më tha se në Komitetin Qendror ka shkuar një letër anonime, ku thuhej se unë kam pasur mik shkrimtarin Bashkim Shehu, i cili në atë kohë ishte në burg. Bashkimin e kisha takuar vetëm tri herë nga dy-tri minuta. Pas verifikimeve nuk pata pasoja. Unë i kuptoj informacionet që bëheshin nga punonjësit e Sigurimit, se ata atë detyrë kishin. Por moralisht janë të neveritshëm shpifjet e spiunimete atyre që nuk e kanë për detyrë ta bëjnë ose nuk janë në presion të papërballueshëm.

RB: Kur jeni njohur së pari me parimet demokratike?

SG: Në shkollë, nga historia e letërsia botërore. Më bënin përshtypje rrëfimet e profesorit tim të gjimnazit, Kudret Velça që kishte studiuar në Budapest. Atëherë, kur mbizotëronte rregulli partiak “Ai që nuk është me ne është kundër nesh”, ai na kallëzonte se si dy profesorë të tij bënin polemika të ashpra në shtyp dhe të nesërmen pinin kafe dhe shëtisnin së bashku si shokë. Nuk u habita kur lexova para ca kohësh në një intervistë të Harold Blum-it, ku thoshte se me kolegun Paul de Man-in debatonte gjithnjë në publik dhe ndër kohë bënin shëtitje dhe pinin së bashku birrë belge.

RB: Salibra keni botuar deri tani?

SG: Pesëmbëdhjetë libra me poezi e prozë për të riturit dhe mbi njëzetë e pesë për fëmijë. Por do të ishte tepër naive, për të mos thënë qesharake, ta vlerësosh një autor nga numri i librave që ka botuar.

RB: Dikur në një intervistë jeni lavdëruar se në ujë e ndieni veten si peshk. Cili është stili i notit që ju pëlqen më tepër?

SG: Mos harroni se unë kam lindur e jam rritur në Vlorë dhe kam notuar që i vogël në Adriatik e në Jon, në Drinos e në Vjosë, po më pas edhe në Drin e Bistricë. Të gjitha stilet janë të bukura (nuk kam mësuar stilin delfin, se kur isha i vogël nuk njihej). Tash qëndrimi vertikal mbi ujë pa lëvizur fare më pëlqen më shumë.

RB: Veç notit, ju keni pasur si hobi edhe alpinizmin. Çfarë ju ka shtyrë në këtë sport të rrezikshëm?

SG: Ndoshta shpirti i aventurës. Edhe pse një herë jam aksidentuar rëndë, kam vazhduar ngjitjet.

RB: Kur keni filluar të merreni me alpinizëm?

SG: Që 10 vjeç jam ngjitur në malin e Golikut me djalin e tezes Leonidha Matin dhe takonim atje bariun e njeriun e mirë Koço Muçin. Si nxënës e student dhe më pas jam ngjiturnë Shashicë, Çikë, Korab, Tomor, Dajt, Jezercë, Shkëlzen, Nemërçkë, etj. Alpinizmi, ndryshe nga sportet e tjera nuk ka garë ose kundërshtarë. Je ti, shokët dhe mali që duhet mposhtur në verë ose në dimër. Është sporti që ushqen më së shumti solidaritetin. Aty mishërohet motoja “Një për të gjithë, të gjithë për një”. Ende sot e ruaj shoqërinë me alpinistin e mirënjohur Aleksandër Bojaxhiun, i cili vazhdon edhe sot t’i mbetet besnik alpinizmit.

RB:Cili është raporti juaj me Zotin?

SG:I mirë. Përherë jam përpjekur të zbatoj në jetë mësimet morale që fetë e ndryshme predikojnë në emër të tij.

RB:A besoni në Zot?

SG:Nëse për Zot kuptojmë Njeriun, po, besoj. Por nëse vërtet Zoti Perëndi ekziston, le të na japë qoftë dhe një provë të gjithëplotfuqishmërisë dhe të mirësisë së tij.

RB:Kjo është një pikëpamje agnostike?

SG: Ndoshta po, ndoshta jo.

RB:Cila është dashuria juaj më e dhimbshme?

SG:Familja ime.

RB:Krenaria juaj?

SG: Fëmijët e mi Holta e Artani.

RB:Dobësia juaj?

SG: Nipat e mi Marku, Joni e Arbëri.

LIBRA TË SAZAN GOLIKUT:

-Pasqyra e thyer, 1972

-Lule drite, 1977

-Grusht, 1981

-Intimitet, 1987

-Aventurat e lirisë, 1995

-Epidemi kozmike 1996

-Endërr dashurie, 1996

-Komitët e Malit të Bardhë, 1999, 2011

-Petalet e rëna, 2001

-Trekëndëshi i qiellit të zi, 2006

-Turbull, 2007

-Shpirtdehje, 2011

-Unë jam unë, 2012

-Zjarr dhe zjarr, 2015

-Aksion në shkumën e vaskës, 2016 (marrë nga Shqiptarja)