Kulturë

Zgjidhja për pagat e aktorëve kërkohet edhe në Kuvend

Descriptive Text

Prishtinë, 26 tetor - Çështja e kërkesës së aktorëve të ansamblit rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës për rritje të pagave ka arritur deri në Kuvendin e Kosovës. Në seancën e së mërkurës deputetja Blerta Deliu-Kodra, njëherësh aktore, ka thënë se e mbështet kërkesën e kolegëve të saj që punojnë në Teatër. Deliu-Kodra ka thënë se qysh prej viti 2016 aktorët kanë zhvilluar disa takime edhe me ish-ministrin e Kulturës, Kujtim Shala, duke ia shprehur kërkesat e tyre.

“Deri më tani nuk ka pasur përmbushje. Ka disa ditë që aktorët janë në grevë. Teatri është njëri prej institucioneve më të rëndësishme në vend. Shfaqjet e fundit janë vlerësuar ndërkombëtarisht. Kam pasur disa takime me aktorët. Pagat e aktorëve rezidentë janë më të ulëtat në rajon”, ka thënë deputetja e PDK-së. Sipas saj, institucionet duhet ta bëjnë një zgjidhje për këtë problem.

“Tash po presim se cili do të jetë vendimi i fundit për të gjetur kompromis. Ata që angazhohen me projekte, sipas aktorëve, marrin më shumë mjete sesa aktorët rezidentë”, ka thënë ajo. Deliu-Kodra ka thënë se e ka paraqitur këtë çështje në Kuvend në mënyrë që sa më shpejt të bëhet një zgjidhje në mënyrë që aktorët t’i kthehen punës profesionale.

Në orët e mbrëmjes, në seancën e Kuvendit, deputetja e VV-së Saranda Bogujevci ka lexuar një letër që aktorët e TKK-së e kanë shkruar si kërkesë për institucionin ligjvënës.

Në letër, aktorët kanë shkruar se që prej viti 1999 e këtej, TKK-ja është nënvlerësuar, madje shpeshherë është parë edhe si mbeturinë e ish-sistemit. Sipas tyre, sistemi politik në këto dy dekada jo që nuk arritur të krijojë asnjë vizion kulturor e mundësi zhvillimi për skenën e pavarur kulturore, por nuk ka arritur as ta trajtojë me dinjitet Teatrin e vetëm Kombëtar e as ansamblin e tij prej vetëm 26 aktorësh (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.