Kulturë

Mia Krajcar fitoi çmimin kryesor të PITF, ‘Unaza e Faruk Begollit’

Descriptive Text

Rrugëtimi gjashtëditor i edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Kosovë “Prishtina International Theater Festival” mbajti ceremoninë e ndarjes se shpërblimeve për fituesit e festivalit brenda hapësirave të teatrit “Faruk Begolli” në AAB, shkruan KultPlus.

Ceremonisë së shpërblimeve i parapriu shfaqja “Armiku i popullit”, e cila është realizim nga produksioni i Teatrit të qytetit “Bekim Fehmiu” Prizren, nën regjinë e Fatos Berishës, me autorë Henrik Ibsen, dhe në skenë erdhi përmes aktorëve Shpëtim Selmani, Xhevdet Doda, Afrim Kasapolli…

Ishte po kjo shfaqje ekipi i së cilës u ngrit përsëri në skenën e teatrit për të marrë pesë nga gjashtë çmimet e këtij festivali. Mirëpo çmimin kryesor që është ‘Unaza e Faruk Begollit’ e mori aktorja kroate, Mia Krajcar.

Çmimi i parë për shfaqjen ‘Armiku i Popullit’ erdhi nga juria e studentëve të këtij kolegji, i cili u dha nga Njomza Haziraj, çmimi i dytë erdhi nga juria e medieve, e që u dha nga kryesuesja e kësaj jurie, njëherësh edhe themeluese e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti.

Pasuar nga tri çmime nga juria qendrore, e cila në përbërjen nga aktori Enver Petrovci, Tina Smalcelj, dramaturge dhe publicisti Adriatik Kelmendi për shfaqjen “Armiku i popullit” dhuruan çmimin në kategorinë shfaqja më e mirë, në kategorinë regjia më e mirë dhe në kategorinë aktori më i mirë në rol dytësor kurse për aktoren më të mirë, çmimi “Unaza e Faruk Begollit” u dhurua nga Ilir Tafa për aktoren kroate Mia Krajcar.

Shfaqja “Armiku i popullit” e solli shpërfaqjen një sistemi të kalbur e të korruptuar të një qyteze, ku përdoret çdo formë për të mbuluar të vërtetën. Keqpërdorimi i “interesit publik”, gjithmonë i dominuar nga interesi personal. Dy vëllezër, të rritur në një familje , njëri shfaqet në pozitë vendimmarrëse (Peteri )si kryetar i bordit të ndërmarrjes së ujërave dhe tjetri doktor (Thomasi) i cili sjellë një analizë që vërteton se ka materie helmuese në ujë. Në përballjen e këtyre dy kundërshtive, kjo shfaqje sjellë edhe një shtyp po ashtu të luhatshëm, që refuzon të nxjerrë në pah dëshmitë edhe kur i ka, vetëm kur nga lart u kujtohen përfitimet dhe interesat e tyre financiare, që i mbajnë edhe ata larg interesit publik. Në një situatë të tillë Thomasi mbetet në një betejë i vetëm me përkrahjen e familjes se tij.

Regjisori i shfaqjes fituese “Armiku i popullit”, Fatos Berisha tha për KultPlus që pjesëmarrja dhe çmimet e këtij festivali i sollën nder atij edhe teatrit të Prizrenit.

“Për mua ka qenë nder për me qenë pjesë e këtij edicioni, edhe pse është i pari ka arrit të ndërtoj një standard edhe në përmbajtjen e shfaqjeve garuese. Edhe sikur të mos e kishim marr asnjë çmim, prapë do të kishte qenë një nder për ne që të marrim pjesë në këtë teatër dhe në këto kushte që i ofron. Duke qenë se ka pasur shumë shfaqje të mira, në mesin e të gjitha atyre po ndihem i vlerësuar. Po ndihem shumë mirë sepse ka pasur çmime të ndryshme nga juri të ndryshme, edhe për shfaqjen edhe për aktoret. Ky po ashtu është një lajm i mirë edhe për teatrin e Prizrenit, i cili na ka ofruar kushte mua dhe regjisorëve të tjerë për me e shpreh kreativitetin tonë. Kjo do t’i jap energji teatrit dhe ekipit dhe atyre që e mbështesin edhe financiarisht këtë teatër”, tregoi Berisha.

Krejt ky festival u përmbyll kur në skenë u ngjit aktori Enver Petrovci i cili tregoi për ndarjen e çmimeve, ku i janë larguar natyrës politike të ndarjeve të çmimeve në Ballkan derisa dhe ngriti lart institucionin që organizoi këtë festival.

“Gjithmonë i mbetet hatri dikujt, vërtetë nuk kemi bërë politikë, e kemi bërë më sinqeritet aq sa kemi pasur çmime. Ta ndërtosh një teatër siç është teatri “Faruk Begolli” është si të ndërtosh një xhami, apo kishë, bile edhe më vështirë. Ky objekt është një objekt shpirtëror ndërtuar me para vetanake. Shpresoj që vitin e ardhshëm Ministria t’i ndihmoj këta njerëz që investojnë në anën shpirtërore të popullit të vet”, përfundoi Petrovci.

Ky festival gjatë kësaj jave priti gjithsej gjashtë shfaqje garuese “Dhe jetuan të lumtura…?”, nga Kroacia, “Shërbëtoret” nga Bullgaria, “Vdes siç vdes një vend” nga Shqipëria, “SPEAK MEDEA” nga Irani, “Darka e Thërrimeve” nga Maqedonia dhe “ Armiku i Popullit” nga Kosova.