Kulturë

Zbulohet një sit arkeologjik i shekullit të 6-të të e.s në Berat

Tiranë, 22 tetor - Gjatë punimeve për pastrimin dhe sistemimin e korridorit të kalimit përgjatë gjurmës së Gazsjellësit Trans Adriatik, TAP, në afërsi të fshatit Vodicë në Berat, u zbuluan rrënojat e një vendbanimi të hershëm.

Një grup gazetarësh vizitoi këtë sit në Berat, ku u njoh nga ekspertët e trashëgimisë kulturore për TAP në Shqipëri me të dhënat e gjetura deri tani, si dhe me procedurat që ndjek kompania për identifikimin, studimin, dokumentimin dhe ruajtjen e çdo objekti që mund të jetë pjesë e trashëgimisë kulturore.

Sipas vlerësimeve nga ekspertët e trashëgimisë kulturore në TAP bëhet fjalë për një vendbanim i cili daton që nga periudha e shekullit të 6-të e.s. Gjatë kësaj kohe, kjo hapësirë duket që është përdorur si vendbanim rural, por ajo që bie në sy sipas ekspertëve është edhe prania e objekteve religjoze siç është kapela e Kishës.

Eksperti i Trashëgimisë Kulturore për TAP në Shqipëri, Lorenc Bejko thotë se në territorin e Shqipërisë, gjatë hapjes së korridorit kemi zbuluar rreth 30 gjetje rasti nga të cilat janë kryer gërmime për 15 prej tyre, duke zbuluar site arkeologjike të rëndësishme që datojnë nga neoliti i hershëm e deri në shekullin e 18. Gjetjet janë kryesisht në zonën e Korçës, por edhe në Berat.

I tillë është edhe siti i Vodicës shumë pranë një qendre tepër të njohur të arkeologjisë në Shqipëri, siç është Gradishta e Peshtanit.

“Ky është një sit i rëndësishëm, ka një diapazon të gjerë kohor, që nis nga fillimi i shekullit të 6-të të erës sonë. Siti karakterizohet nga një kompleksitet jo vetëm strukturash ndërtimore, por edhe objektesh me karakter publik, siç është objekti religjoz, i nje kishe te përmasave të vogla, apo banjo publike, ose hamami që i përket një faze më të vonë”, shprehet Bejko.

Ky, sipas Bejkos, është një fragment vendbanimi dhe brezat që vijnë do të kenë mundësi të eksplorojnë më tej.

Vendbanimi, sipas Bejkos, është rural i periudhës së antikitetit të vonë, i cili vazhdon të jetë edhe në periudhën e mëvonshme historike deri në shekullin e 18-të. “Prania në të njëjtin sit i objekteve me natyrë religjioze, ashtu si edhe zonave rezidenciale është përfaqësim tipik, fotografi tipike e jetës në periudhën e shekullit të 6-të të e.s. Vetë diapazoni i gjerë historik i zhvillimit të vendbanimit është interesant, i veçantë. Vendosja e një vendbanimi në një zonë kaq të thepisur tregon për njohje mjaft të mirë inxhinierike, zgjidhje arkitektonike urbanistike. Është impresionuese dhe cilësia e zbatimit të këtij projekti ndërtimor që e ka bërë jetën këtu më cilësore”, deklaroi Bejko.

Duke folur për situatën në të cilën ndodhej siti në momentin e zbulimit, Bejko thotë se siti ndodhej poshtë një zone me vegjetacion të dendur. Sipas tij, një pjesë e mirë e superstrukturave është e rrënuar. Pjerrësia në të cilën gjendet është rreziku kryesor për dëmtimin e mëtejshëm, por menjëherë pas dokumentimit të fundit do të merren të gjitha masat afatgjata të konservimit në pritje më tej të vendimit të Ministrisë së Kulturës për procedurat e mëtejshme.

Gjatë ndërtimit të gazsjellësit TAP po zbatohen standardet më të larta evropiane për të siguruar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

Më shumë se 50 ekspertë të trashëgimisë kulturore dhe arkeologë janë bërë pjesë e projektit TAP për të ndjekur nga afër ndërtimin e gazsjellësit në Shqipëri. Gjatë punimeve ata sigurojnë që çdo gjetje arkeologjike të identifikohet dhe të mos dëmtohet. Gjithashtu, kontraktorët e TAP dhe punëtorët janë informuar dhe trajnuar për hapat që duhet të ndjekin në rastin e një gjetje arkeologjike të rastësishme.

Të gjitha artefaktet dhe gjetjet arkeologjike u janë dorëzuar autoriteteve përkatëse shqiptare, të cilat sigurojnë ekspozimin e tyre për publikun.

Qyteti i Beratit është i vendosur në Shqipërinë Jug-Qendrore në rrethin e Beratit , i cili ka një sipërfaqe prej 939 km2 dhe popullsi prej gati 65 mijë banorë. Berati është një ndër qytetet më të vjetër të Shqipërisë dhe ka një trashëgimi kulturore unike, tashmë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Eshtë një qendër e rëndësishme për zhvillimin e turizmit ne vend.

Image