Kulturë

Promovohet pulla postare “500 vjet reformacion”

Descriptive Text

Në mjediset e kishës protestante “Bashkësia e Popullit të Zotit” në Prishtinë është promovuar emisionit special të pullës postare “500 vjet reformacion”. Të pranishëm ishin menaxhmenti i Postës së Kosovës dhe pastorë e besimtarë të komunitetit protestant. Ky është një bashkëpunim ndërmjet Postës së Kosovës dhe Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës dhe është pjesë e programit të Javës së Reformacionit Protestant, që po mbahet në Prishtinë.

Kryetari i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, pastor Driton Krasniqi, në fjalën e tij para të pranishmëve theksoi se Posta e Kosovës duke lëshuar në qarkullim emisionin special të pullës postare “500 vjet reformacion”, ajo e ka nderuar kulturën perëndimore dhe i ka bërë nder shtetit të Kosovës dhe popullit tonë. Projekti i shënimit të 500 vjetorit të reformacionit protestant dhe emisioni i pullës postare, e ka vendosur Kosovën në hartën e shteteve që gjatë këtij muaji po e bëjnë pikërisht të njëjtën gjë”. Këtë muaj në shumë vende të botës njerëzit janë duke e kthyer kokën mbrapa në histori duke u orvatur për të mësuar nga historia në mënyrë që luftërat fetare të mos përsëriten më. Ndërsa e kujtojmë reformacionin, ai është bërë edhe një herë një temë relevante në botën bashkëkohore dhe thirrjet për reforma fetare janë bërë gjithnjë e më të shpeshta. Lëvizja Reformatore Protestante kishte filluar para më shumë se 500 vjetësh si thirrje ndaj establishmentit fetar për reforma rrënjësore në jetën shoqërore të vendit. Kundërshtimet kishin të bëjnë me rishikimin e praktikave fetare dhe kthim tek burimi i informacionit. Sot, ndërsa përkujtojmë gjitha të arriturat e 500 vjetëve të fundit në formësimin e kulturës perëndimore, shoqëria kosovare e ka dëshmuar edhe një herë orientimin e vet kulturor, theksoi pastori Krasniqi.

Pulla që u promovua sot, është dëshmi e kulturës, bukurisë dhe krijimtarisë njerëzore, tha pastori Driton Krasniqi. Kjo pjesë e çmuar arti, arrin tek të gjithë njerëzit si një dhuratë nga larg. Reformatori Luther, artin e shihte si pjesë

përbërëse të besimit. Ajo është një çmallje me apostujt e besimit tonë dhe frymëzim për ta çuar përpara amanetin e tyre për emancipimin e popullit tonë, u tha nga të pranishmit.

Piktori, respektivisht dizajneri i pullës, Fidan Bejtullahu, ka krijuar një vepër të mirë. Imazhet e prezantuara në të pasqyrojnë një rrjedhë historike pesë shekullore nga Reformacioni Evropian tek ai shqiptar. Kombinimi i ngjyrave na e sjell lashtësinë në kohën tonë moderne. Në qendër të pullës qëndron Martin Luter Reformatori i rrethuar nga pesë solat. E tërë platforma e tij u ndërtua mbi pesë sola: Vetën shkrimi, vetën besimi, vetëm hiri, vetëm përmes Krishtit dhe vetëm Perëndisë lavdia. Por edhe historia jonë i ka Luterët e vet me në krye vëllezërit Gjerasim e Gjergj dhe motrat Sevasti e Parashqevi Qiriazi. Ndikimi reformacionit në kulturën shqiptare pasqyrohet bukur në këtë pullë postare me dy objekte: Kongresi i Manastirit dhe Shkolla e Vashave përballë njëra-tjetrës. Përkthimi i Biblës nga Kristoforidhi është një pikë referimi e historisë sonë kombëtare gjithashtu. Popujt e ndryshëm historinë e tyre e përkufizojnë me anë të kulturës. Prandaj, vlera e kësaj pulle që po promovohet sot, është e rëndësisë së shumëfishtë. Posta e Kosovës, respektivisht Filatelia e Postës, shumë shpejt është ngjitur në shkallët e vlerësimit të pullave të saj duke marrë dy çmime ndërkombëtare për pullën postare më të mirë. Në përmbyllje kryetari Krasniqi nënvizoi: “Pulla postare, edhe pse në format të vogël, është një objekt i rëndësishëm që përçon një mesazh të madh. Ato janë matja dhe ambasadori kulturor i një populli. Ajo e transmeton një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore e ikonografisë së popullit tonë”. Pullat postare janë në qarkullim në të gjitha pikat e shitjes së Postës së Kosovës!

Image