Kulturë

The Sunday Times: Ermonela Jaho, një zonjë e vërtetë

Gazeta britanike The Sunday Times i ka kushtuar një artikull sopranos së mirënjohur shqiptare, Ermonela Jaho.

“Një zonjë e vërtetë”, e k titulluar këtë shkrim The Sunday Times, ndërsa shkruan se, “Ermonela Jaho tani është flutura e re e Operës Mbretërore”, transmeton Koha.net.

Kjo për shkak të rolit të saj të ri në shfaqjen “Madam Butterfly” të Giacomo Puccinit, në të cilin ajo luan rolin e Cio-Cio-San.

“Ermonela Jaho është antiteza e divave të paketuara që vijnë në shtëpitë e mëdha të operave me disa albume të vlerësuara, intervista të profilit të lartë. Sopranoja shqiptare, që pushtoi titujt e mediave kur zëvendësoi Anja Harterosin në ‘Suor Angelica’ të Puccinit në ‘Royal Opera House’ në vitin 2011, këtë muaj rikthehet me një rol edhe më kërkues: në atë të Cio-Cio-San, geisha tragjike në ‘Madam Butterfly’ të Puccinit”, shkruan Sunday Times.

Shfaqja “Madam Butterfly” do të nisë më 20 mars, dhe do të mbahet në data të ndryshme deri më 10 prill.

Image

Ermonela Jaho ditë më parë kishte konfirmuar se shfaqja e datës 30 mars do të transmetohet direkt nga Opera Mbretërore e Londrës në 1.500 teatro dhe 35 vende të botës.