Kulturë

Botohet katalogu me socrealizmin në artin shqiptar

Si të kuptojmë lidhjet mes artit dhe politikës, sidomos në epoka të diskutueshme si diktatura. Një nga epokat me sugjestionuese të kësaj lidhjeje në historinë e artit shqiptar është pa dyshim realizmi socialist. Dhe në ndihmë të kuptimit pa paragjykime, por thellësisht dokumentuese, na vjen botimi studimor me autorësi tekstesh nga Ermir Hoxha.

Realizmi Socialist Shqiptar është një botim i bazuar në fondin e GKA por jo vetëm. “Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë e veçantë të prezantoje për herë të parë këtë botim që është katalogu i realizmit socialist shqiptar ku prezantohen 351 imazhe nga 151 artistë” tha drejtori i GKA, Artan Shabani. “Studimi ishte pjesa e parë dhe më e rëndësishme e katalogut, ajo që do shpjegonte fenomenin, që do merrte përsipër të tregonte pikërisht dhe formatin shqiptar të një fenomeni ndërkombëtar” theksoi autori i këtij katalogu Ermir Hoxha. Katalogu është i pari i cili përshin një spektër kaq të gjerë të veprave të realizuara në periudhën 1945 -1990 dhe autorëve që përtej censurës, autocensurës kanë qenë me aktivet në këtë periudhë 40 vjeçare dhe konturuan zhvillimet e artit figurativ shqiptar.

“Ky është një vlerë e shtuar në bibliotekat tona. E them në dy aspekte edhe si artist edhe si profesor i Akademisë së Arteve. Më pëlqen shumë që ky libër më në fund do bjerë në dorë të studentëve tanë të cilët janë të rinj, nuk e njohin fare atë kohë” tha piktori Gazmend Leka. Ky katalog është i rëndësishëm për periudhën në të cilën është zhvilluar ky art, i ndërtuar mbi analizën e disa prej mediumeve më të rëndësishme ku ai u përqendrua dhe synon të hedh dritë për të kuptuar më mirë një nga periudhat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.