Kulturë

Qendra Kinematografike e Kosovës formon Komisionin e Vizionimit

Qendra Kinematografike e Kosovës, përkatësisht Këshilli Drejtues i QKK-së, ka formuar Komisionin e Vizionimit, të cilët do të angazhohen në dhënien e lejes për shfaqje publike të të gjithë filmave që prodhohen në Kosovë.

Në bazë të Ligjit për Kinematografi, neni 9, par. 9.1. dhe 9.2 Komisioni i Vizionimit ka të drejtë të japë leje për shfaqjen publike të filmit sipas kategorive, të cituar:

”9.1. Për çdo film vendës apo të huaj, që synohet të shfaqet publikisht, para se të ketë shfaqjen e parë në Kosovë, distributori, përkatësisht shfaqësi duhet të marrë lejen për shfaqjen publike të filmit.

9.2. Lejen nga paragrafi i mësipërm, e jep Komisioni i Vizionimit i QKK.”

Anëtarët e Komisionit të Vizionimit të emëruar nga QKK janë: Veton Nurkollari, drejtor artistik i festivalit DokuFest, Linda Gusia, sociologe, Imer Mushkolaj, publicist & aktor, Birol Urcan, regjisor, dhe një person ad-hoc, i cili caktohet nga QKK, i ndryshëm për secilin film.

Komisioni i Vizionimit pritet të luaj rol shumë të rëndësishëm në krijimin e një ambienti më të përshtatshëm për publikun e të gjitha moshave si dhe parandalimin e shfaqjes së filmave që nxisin urrejtje etnike, raciale, religjioze etj.

Një vëmendje e veçantë kërkohet nga distributorët dhe festivalet e filmave në Kosovë të cilët duhet të respektojnë kategorizimin gjegjësisht të kërkojnë për filmat vendas pëlqim-lejen ndërsa për filmat e huaj të respektojnë kategorizimin nga vendi i origjinës apo nga distributori ndërkombëtar.