Kulturë

“Ikja” e Edvard Ravnikarit nga Prishtina

Wiliam J. Curtis, njëri ndër historianët më në zë të modernizmit në arkitekturë, shkruan se arkitektura dhe mendimet e Edvard Ravnikarit për arkitekturën nuk mund të reduktohen në një skemë të thjeshtë të zhvillimit historik në arkitekturë.

Ravnikar, sipas Curtis, është bashkëkohanik me Carlo Scarpan në Itali dhe Luis Barraganin në Meksikë, figura këto unike, të cilat së bashku me Ravnikarin llogariten si njohës të mirë të mjeshtërimit modern në arkitekturë, përmes së cilit ata vetë kanë arritur të realizojnë mitet e vendeve prej nga vijnë, shkruan Kujtim Elezi në numrin e sotëm të Kohës Ditore.

Ravnikar, i lindur në 1907 në Slloveni, do të fillojë edukimin e tij profesional në Vjenë, për t’u bërë më vonë student i modernistit të hershëm slloven, Jože Plečnik. Mentori spiritual i Ravnikarit, Jože Plečnik, do të ngulisë tek ai disa nga termet e kohës në arkitekturë, si klasicizmin dhe vernakularitetin, simbolikën dhe rëndësinë e materialeve, strukturën dhe zejen.

Nga Plečnik, Ravnikar do të fitojë një ideal të lartë për arkitekturën si një shprehje ekspresive dhe simbolike. Tek Plečnik, Ravnikar shumë herët sheh ikjen e tij nga elementi nacional në arkitekturë. Plečnik nuk besonte në romantizmin nacional ndaj dhe tek ai nuk gjejmë tentativën e zbulimit të stilit slloven në arkitekturë. Për dallim nga Plečnik, Ravnikarin e gjejmë të jetë i dhënë pas arkitekturës, e cila është sintezë unike e principeve universale dhe veçorive regjionale.

Tek tradita lokale në ndërtim, Ravnikar nuk do të kërkojë shembuj të formës, por bashkëkohoren në elementet konstruktive tradicionale. Ai vdiste pas autenticitetit, sinqeritetit të strukturës dhe logjikës hapësinore. Ai do të potencojë elementaren e arkitekturës tradicionale, e cila befasisht është shumë e afërt me kërkimet në arkitekturën bashkëkohore. Ndaj dhe, për dallim nga Plečnik, Ravnikari do të tentojë, nëse jo të krijojë stilin slloven në arkitekturën moderne, së paku të zbatojë traditën sllovene të shprehur me gjuhën moderne në veprat e tij në vend. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)