Kulturë

36 shqiptarët, pushtetarët më të lartë të Turqisë

Kombin shqiptar rrjedhat e historisë e lidhën gjatë me Perandorinë Osmane.

Janë evidentuar shumë burra shteti dhe figura të shquara me origjinë shqiptare që kanë derdhur gjakun dhe djersën për bashkësinë osmane e sidomos kanë kontribuar për miqësinë shqiptaro-turke.

Shumë nga ata kishin zënë edhe pozita të larta, të rëndësishme, si kryeministra (të paktën 35 shqiptarë), ministra, pashallarë, admiralë etj. Sigurisht që një pjesë e tyre vepruan në dëm të interesave të kombit shqiptar.

Në Arkivin e Institutit të Historisë, në Dosjen A. III. 19, me Nr. Inventari 300, me 227 fletë, gjenden emrat e 225 personaliteteve të shquara shqiptare që përmenden në historinë e Perandorisë Osmane.

Dokumentet janë të shtypura në fletë më të vogla se formati a4 dhe në secilën prej tyre është stema e mbretërisë shqiptare dhe intestimi: Instituti Mbretnuer i Studimeve Shqiptare.

Autori i krijimit të kësaj dosjeje ka shfrytëzuar këto burime: Librat e historisë turke, librat e huaj që shkruajnë për historinë turke, shkurtimin e fermanëve, Sixhill’i Osmani-Stamboll 1307. Datat janë të shënuara simbas kalendarit të Hixhris, sikundër se janë përherë në origjinalet e Fermanëve. Llogaritja dhe transkriptimi i tyne në datat e kalendarit tonë mund të bëhet lehtësisht (ndryshimi është me plus 579 vite).

Në vijim, po e transmetojmë shkrimin e botuar në “Standard”, disa të dhëna që janë administruar në Dosjen A. III. 19, për 36 personalitete shqiptare të përmendura në historinë e Perandorisë Osmane.

1) Ibrahim Pasha

Është i vjehrri i Kara Mahmut Pashë (Bushatit). U bë pashë me 2 tuga. Mbasi dhëndri i Ibrahim Pashës, për sjelljet e tija të papëlqyeshme ra nga syni i Mbretit, ky me gjithë të birin Karaman beun ju fal e ju dorëzua Mbretit. Por mbas kësaj u vërtetua se mbante korrespondencë të fshehtë me të dhëndrin dhe prandaj u burgos dhe u vra më 1203.

2) Ibrahim Pashë Bushati

Është vëllai i Valiut të Shkodrës Mahmut Pashës. Më 1203 më 17 Ramazan ju dha Sanxhaku i Ohrit. Më 1211, mbas vrasjes së vëllait të tij, u bë Pashë me 2 tuga i Shkodrës. Më 1218 u bë Pashë (Vezir) me 3 tuga dhe njëkohësisht u emrue Serasqer i Rumelisë. Më 1220 u ba Vali (Bejler beu) i Rumelisë. Në muajin e Rexhepit 1221 u hoq nga kjo pozitë duke ju lanë Shkodra. Vdiq më 1227. Djemt’ e tij janë Ragip Pasha dhe Tahir Pasha. Ishte një Vezir i zoti i kordhës e i mendjes.

3) Ahmet Pashë Dukagjini

“Duk” do me thanë ndër shqiptarët “Bej”. Duka i “Menobarit”(?) kish dy djem që s’e kishin shokun në botë. Sulltan Fatih Mehmeti e dëgjoj këtë dhe tha: “Sikur të bëheshin myslimanë këta djemt, se ç‘fitim do të kish pas feja në Shqipni”. Ky dëshir’ i tij hyjnor do ketë qenë shtysi moral, që një ditë këta djem erdhën në Stamboll dhe u bënë myslimanë. Emrat ju vunë Ahmet dhe Mahmut dhe u pranuan në pallat si “pazhë”. Mahmuti vdiq pas pak kohe. Ahmet beu u bë komandant i shquem i ushtrisë. Në kohën e Sulltan Selimit I u ba Vezir dhe më 920 u vra në luftën e Amasjas. I fortë, i kënduem, i urtë, i squet. I biri është Mehmet Pasha.

4) Ahmet Pasha Dervish

Është nga komandantët e famshëm shqiptar. Me 1157 u bë mytesarifi i Prizrenit, më 1158 i Dukagjinit. Pas pak vitesh vdiq.

5) Ahmet Pasha Bushati

Është i biri i Mytesarifit të Shkodrës Mehmet Pashës. Me ndërhymjen e vëllait të tij Mahmut Pashës u bë Pasha me 1 tugë (Miri Miran) dhe më 1198 Mytesarif i Ohrit. Më 1201 në muajin Sheval u ekzekutua.

6) Iskander Bej Dukagjini

Është nga fisi i shtëpisë së Dukagjinëve, i shoqi i Neslishah Hanëm-Sulltanës. Vdiq më 990 dhe asht varrosun në Ejub. Ka lënë shkolla dhe vepra mirbamëse të shumta. Djali i tij është Mustafa Suni beu që vdiq rreth vitit 1000, ishte poet. I nipi është Mehmet Beu që vdiq më 1032. Një tjetër nip i tij ish Mustafa Beu i biri i Hasan Pashës që vdiq më 1041.

7) Ismail Pasha

Është nga familja e Gjinollit, i biri i Xhin Ali Pashës, Vezir i Prishtinës. Në Rebiul-evel të vitit 1187, u bë Pasha me 2 tuga. Për shërbimet e kryera në luftën e këtij viti më 1197 u bë Mytesarif në Ak-Sheher dhe u dërgua në luftën e Bagdadit me ushtrinë e Prishtinës. Më 1198 ju dhanë Sanxhakët e Karasi-s dhe Izmir-it dhe ju ngarkue mbrojtja (si komandant) i njësive Yzi dhe Prizren, dhe pas pak kohe vdiq aty.

8) Ismail Pasha Qeqo

Është i biri i Ali Pashë Qeqos. U bë Kapuxhi-bash, më pas Pashë me 1 tugë dhe u ngarkua të ekzekutoj Ahmet Pashë Ohrin, mision të cilin e kreu dhe u bë në vendin e të ekzekutuemit komandant i Hotinit. Në Dhil – Kade 1199 u bë Vali në Tërhall dhe në Sheval 1201 komandant në Delvinë. Rreth vitit 1206 vdiq.

9) Iljas Pasha Beqo (Njonjo)

Është nga bejlerët e Shqipnisë*. Në Sheval të vitit 1201 u ba Pashë me 2 tuga dhe Mytesarif i Dukagjinit. Vdiq rreth vitit 1207.

*Thuhet se fëmija është i njohun edhe me mbiemnin “Njonjo”dhe lindun në Prizren. Më duket se më tepër përgjamje të jet nga Janina.

10) Emrullah Pasha

Është nga “Hanedani” i Prizrenit*. Në Sheval 1184 u bë Pashë me 2 tuga dhe komandant në “Ada-Kebir”. Sa vazhdoj lufta qëndroi aty, më pas vdiq.

* Ky fëmijë rrjedh nga Sulejman Beu (Sanxhak) beu i Dukagjinit që u vra në luftën e Xhalldëran-it, 920). Thuhet se kjo familje s’kan pasardhës.

11) Texheli Dhylfikar Efendi

Është nga Prizreni. U bë tregtar privat i Mustafa Pashës nga Teqfur-Dagu, mbasandej Profesor, sekretar referendar i ushtrisë këmbësore dhe vdiq më 1069.

12) Sabit Mehmet Pasha

Është nga Hanedani i Dibrës. Më 1201 u ba Pashë me 2 tuga dhe u çue nëpër Sanxhakët e Bosnjes. Mbas kësaj vdiq atje.

13) Hasan Pasha (1)

(Ejublli= nga Ejupi)

Është i biri i Mustafa Beut nga Mati. Duke qenë se ky u vendos në Ejup (Stamboll) mori këtë mbiemnim. Ishte më para Agaj i portës së Kara Mustafa Pashës dhe hyni në pallatin Mbretnor me këtë përkrahje. U bë çakërxhi-bashi (Kryetar i pirjevet) dhe Mir-Alem (Kryetar i rojtjes flamurit) por më 1105 u pensionue. Kur hypi në fron Sulltan Mustafaj i II më 1106 u bë Pashë me 2 tuga dhe Kapuxhiler Qethudasi (Mbikqyrës i rojtarëve të portavet). Më 1109 u bë Vezir dhe Vali në Bosnjë, më pas u dërgue në Baba-Dag dhe në Edirne si komandant (Muhafiz). Më 1110 u bë Vali në Halep, më 1111 në Rekë, më 1113 Serasqer në Bagdad, më 1114 Vali në Diari-Beqir, në Shehri Zor, në Baser, në Kastamoni dhe në Muahrrem të vitit 1116 Vali në Bagdad. Shtroj këtej popullatat shetitëse të Arabis dhe qëndroi 20 vjet sundimtar i këtij vendi. Vdiq më 1136. Ishte trim, madhështor, i pashëm fort, admninistrator e luftëtar i rrallë dhe i mençur. Një Vezir pa shok. Një shtyllë e fortë e Perandorisë. La tre djem: Ahmet, Abdurahman dhe Ali Pashën, që shërbyen në pozita të nalta.

(1) Duket se ka qenë prej fisit “Zog-ogllu” që duke emigrue në Stamboll preu marrëdhënien me familjen dhe u humbë.

14) Halil Demir Pasha

Është djali i djalit (nipi) i Koxha Halil Pashës. Më 1108 u bë Bejlerbej në Shkodër. Pas pak kohe vdiq.

15) Dervish Xhelepi

Është nga Prishtina. U lartësue nga dega e sekretaris; më 987 u ba “Resiul Qytab” (Ministër i Jashtëm). Por u pushue pas pak kohe dhe vdiq. Ishte njeri me pak zotësi.

16) Ragib Mehmet Pashë Bushati

Është i biri i Ibrahim Pashë Bushatit nga Shkodra. Në Sefer 1225 u bë Pashë me 2 tuga dhe u dërgua si Komandar në luftën e atij viti. Është shque me zotësin e me trimnin e tija në të gjitha luftrat. U bë më vonë komandant në Nanapoli dhe më 1233 në Adaj-Qebir (Nisia e Madhe). Më pas vdiq.

17) Rexhep Pasha Kallkandelen

Është shqiptar nga Tetova. U bë Pashë me 2 tuga dhe Mytesarif në Shkup më 1201. Vdiq rreth vitit 1212.

18) Rexhep Pasha Kallkandelen

Është nga Tetova. Thuhet se fisi i tyre vjen prej katundit Ball. Është nga familja e bejlerëve të vendit, i biri i Hasan Pashës. Më 1244 u bë pashë më 2 tuga dhe u emrue komandant në luftën kundra Serbisë. Mbasandej u dërgue në Ada-Qebir dhe mbeti ca kohë aty. Vëllaj i tij Salih beu u ba Kapuxhi-bash. Vdiq rreth vitit 1250.

Djemtë e tij janë Hifzi, Abdurrahman dhe Hasan Pashallarët. Djali i Hasan Pashës, Esad Pasha, vdiq më 1312, djali i Abdurrahman Pashës, Rexhep Pasha më 1313.

19) Seid Mehmet Xhelepi

Është nga Tetova. Në Misir ishte përfaqsuesi dhe sekretari i i Bejtul Malit (Pjesës shtetërore të tokave të pushtueme). Ishte poet i shquem. Vdiq më 940.

20) Seit Pasha

Është nga Prizreni. U bë komandant i Kalasë së Nikshikut dhe Pashë me 1 tugë. Më 1224 ja la vendin të vëllajt Mahmut Pashës dhe shkoj në luftën e Serbisë. Dhe vdiq andej.

21) Seid Efendi

Është nga Prizreni. Në kohën e Fatih Sulltan Mehmetit u muer në Pallat, u stërvit me mësime të nalta dhe më së fundi u bë mësuesi i Princavet. Në kohën e Sulltan Bajazitit II ishte poet dhe shkrimtar i famshëm. Kishte një vëlla dhe ai vetë poet i njohur në literaturën turke, që quhej Nehari. Vdiq në kohën e parë të mbretnimit të Sulltan Sulejman Kanuniut.

22) Sylejman Bej

Është nga Prizreni. U bë Sanxhak bej në këtë qytet dhe u vra në luftën e Çalldëranit më 920.

23) Sylejman Pashë Kryezi (?)

Është i biri i Mehmet Pashë Gjakovës. U bë Pashë me 2 tuga dhe Mytesarif në Shkup më 1148. Më 1156 u bë Vali në Janinë, më pas u pushue dhe vdiq më 1177.

24) Shaban Pasha

Është shqiptar, komandant ushtrie. Më 1176 u bë Mytesarif në Dukagjin dhe vdiq aty.

25) Salih Bej

Është nga oficerët e artilerisë shqiptar. Më 1158 u bë Mytesarif në Prizren, mbasandej vdiq.

26) Tahip Tevfik Efendi

Është dibran. Është i njoftun me mbiemrin Elmas Zade. Është nxënësi i Ali Efendiut në shkencat teologjike. Vetë shkrimtar, filozof, ka vdekur më 1299 dhe është varrosur në Edirne Kapu (Stamboll).

27) Tahir Pasha Begolli

Është nga Hanedani i Pejës, i biri i Mahmut beut. U bë Pashë me 2 tuga dhe më 1126 Mytesarif i Dukagjinit. Më 1152 i Konjës. Pas kësaj vdiq.

28) Tahir Pashë Bushati

Është djali i Ibrahim Pashës. Tue qenë se ka qenë edhe njëkohësisht Qehajaj i tij, u bë më 1219 Pashë me 2 tuga. Më 1224 u bë Valiu i Shkodrës.

29) Durmish Pasha

Është nga komandantët e ushtrisë shqiptare. Më 1129 u bë Mytesarif në Shkodër, mbas pak vjet vdiq.

30) Osman Pasha

Është shqiptar, nga komandantët e ushtrisë vullnetare. Më 1083 ka qenë Mytesarif në Prizren, ku qëndroi për shumë kohë.

31) Osman Mazhar Pasha

Është nga komandantët shqiptarë. U bë Mytesarif në Shkodër. Më 1265 u bë Vezir (Pashë me 3 tuga). Më 1270 u emnue Vali në Selanik. Më 1272 në Trabullusi Garb. Vdiq më 1277. Ishte i zoti i punës, i mençëm, rregullues.

32) Ali Pasha Beqo (zade)

Është nga komnadantët shqiptarë. U bë pasha me 2 tuga dhe Mytesarif i Dukagjinit ku qëndroi për shumë vjet. Ka vdekur rreth vitit 1158. Djemtë e tij janë Ismail Pasha, Sejfullah Pasha dhe Iljas Pasha.

33) Ali Pashë Tepelena

Është i biri i Ajanit (Parisë-V.H.) të Tepelenës, Veli Beut. Kur vdiq i ati dhe mbasi mori një nam në disa përpjekje të vendit u farue dhe bani miqësi me Ajanin e Ohrit dhe me Kurd Ahmet Pashën, u bë Pashë me 2 tuga dhe Mytesarif në Janinë. Kur vdiq Kurd Pasha, vendin e tij e zuri Ibrahim Pashë Vlora, nga kjo lindi kundërshtimi ndërmjet të dyve. Me radhë Ali Pasha u bë Vali i Jeni-Sheherit, Selanikut dhe Manastirit. Mbas ca kohe hodhi në dorë edhe Sanxhakun e Vlorës (1810) dhe e internoj Ibrahim Pashën, ma parë në Konicë, më pas në Kalanë e Janinës. Ali Pasha kish më tepër se 200 çifliqe dhe një pasuri të madhe. Në luftën që bëri kundra francezëve në Prevezë pati sukses. Si shpërblim u bë Vezir më 1223. Më 1226 u bë Valiu i Rumelisë dhe Serasqer; vitin e ardhshëm Vali i Rumelisë u bë tjetër kush dhe Ali Pasha u emrue “Derbendat Naziri”, Drejtor i Përgjithshëm i mbrojtjes dhe sigurimit të rrugëve. Por më 1226 u pushue dhe i mbeti vetëm valillëku i Janinës. Më 1237 u ekzekutua. Është i varrosun (vetëm kryet, se trupi është në Janinë) në Silivrikapu të Stambollit bashkë me djemtë e tij. Në shumë luftra ka tregue zotësi. U bë tetëdhjetë vjeç e lart. Djemtë e tij janë Muhtar Pasha, Veli Pasha, Mehmet Pasha dhe Salih Pasha. Djali i Muhtar Pashës është Hysejn Pasha; djemtë e Veli Pashës janë Selim Pasha dhe Ismail Pasha.

34) Ali Efendi

Është nga Jakova. Ish-profesor i Teologjisë i shquem dhe rektor. Vdiq më 1293. Ka qenë njeri fort i ditur.

35) Ali Pashë Gusija

Është nga Gusija. Është një trim i shquem ndërmjet trimave shqiptarë. Në luftrat kundra Malit të Zi bani shërbime të mëdha, shpëtoi vendin e vet. Nga ky shkak u bë Pashë me 2 tuga. Më vonë u pranue në degën ushtarake me gradën Gjeneral Brigade. Më 1305 vdiq aksidentalisht. Ishte atdhetar, besnik, i drejtë, guximtar, burrë i fjalës. Për këto cilësi Mbreti urdhëroj që me shpenzimet e veta t’i ngrihet një tyrbe. (AIH, Dosja A. III. 19, f. 218)

36) Galib Abdurrahman Pasha

Është i biri i Jashar Pashës nga Prishtina, nga Hanedanët e Shqipërisë. Tue marrë parasysh pozitën e trashëgueme që kish në vendin e tij, u bë mytesarif në Prishtinë, më pas u emrue në Aqe, në Berat, dhe në Seres. U bë pashë me 2 tuga që në Rini. Ishte burrë shteti me gjithë cilësitë e duhura. Ishte i zoti, mëshirplotë për të varfërit, ishte trim pa shembull, rregullues. Kur hoqi dorë nga nëpunësia dhe vajti me qëndrue në Prishtinë, vdiq aty. Ka ba kudo vepra bamirësie. Kur qëndroj në Prishtinë, ngriti një shkollë të mesme madhështore.