Kulturë

Teatri i Gjakovës zyrtarisht merr emrin e Hadi Shehut

Descriptive Text

Prishtinë, 22 shtator - Teatri i qytetit të Gjakovës zyrtarisht nga e enjtja ka marrë emrin e kolosit të skenës teatrore. Propozimi që këtij institucioni t’i vihet emri i aktorit Hadi Shehu, i cili vdiq në mars të këtij viti në moshën 68-vjeçare, është miratuar në Asamblenë Komunale. Kësisoj u finalizua propozimi i përmendur qysh në mbledhjen përkujtimore, që i kishte paraprirë varrimit të Shehut në qytetin e tij të lindjes. Ky teatër sivjet shënon 40-vjetorin e themelimit dhe Shehu qe njëri ndër themeluesit e institucionit të rëndësishëm kulturor të Gjakovës.

Meriton Ferizi, drejtor i Departamentit të Kulturës, Rinisë e Sportit në Komunën e Gjakovës, ka thënë se

është shumë e rëndësishme që pikërisht në vitin kur festohet 40-vjetori i Teatrit të Gjakovës, Shehu të nderohet në këtë mënyrë.

Dramaturgu Haqif Mulliqi ka rikujtuar se emërtimi i teatrove të qyteteve sipas emrave të kontribuuesve të kësaj fushe është një lloj praktike, duke qenë se Teatri i Pejës mban emrin e Istref Begollit e ai i Ferizajt emrin e aktores Adriana Abdullahu. Në korrik, Teatri i Prizrenit mori emrin e Bekim Fehmiut.

“E për kënaqësinë tonë si komunitet dhe bashkëpunëtorë të Shehut, edhe Teatri i qytetit të Gjakovës, që është i dyti profesional në Kosovë i themeluar më 1977, me krenari do ta bartë emrin e njërit prej themeluesve dhe bardit të teatrit shqiptar në përgjithësi, Hadi Shehu”, ka thënë Mulliqi (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.